Qortimi i Elifazit
1 Atëherë Elifaz Temaniti u përgjigj e tha:
2 «A mund të flitet me ty, apo s’ke durim?
Po kush mund të rrijë pa folur?
3 Ja, shumë veta ke mësuar
e duart e mekura ke përtërirë.
4 Fjalët e tua kanë ringritur të rrëzuarit
e gjunjëprerët ke mëkëmbur.
5 Tani e ke radhën ti e nuk duron,
të ra ty e u trullose.
6 A nuk ke besim te droja e Perëndisë
e shpresë te sjellja e përsosur?
7 Thirri mendjes, cili i pafajshëm u rrënua?
Ku është ai i drejtë që u shkatërrua?
8 Me sa kam parë unë, kush mih ligësi
e mbjell prapësi, ato edhe korr.
9 Ata i rrënon puhiza e Perëndisë,
i fundos fryma e zemërimit të tij.
10 Ulërin luani, bërtet egërsira
e dhëmbët e këlyshit bëhen copë.
11 Luani ngordh se s’ka pre
e shpërndahen këlyshët e tij.
12 Tinëz më erdhi fjala,
pëshpërima e saj më ra në vesh.
13 Në trazimin e vegimeve të natës
kur njerëzinë e zë gjumë i thellë,
14 më zuri tmerri e drithërima,
edhe eshtrat m’u drodhën.
15 Një frymë ma përshkoi fytyrën
e m’u ngritën qimet përpjetë.
16 U ndal, por s’ia njoha pamjen:
një trajtë para syve të mi.
Heshtje. Pastaj një zë dëgjova:
17 “A ka vdekatar të drejtë para Perëndisë?
A ka njeri të pastër para krijuesit të vet?”.
18 As shërbëtorëve s’u zë besë,
edhe engjëjve ua gjen një të metë.
19 Aq më shumë banorëve të qerpiçëve,
që i kanë themelet në pluhur
e shkelen porsi tenja.
20 Shkërmoqen sa gdhin e ngryset.
Papandehur, zhduken përgjithmonë.
21 U këputet filli
e vdesin pa urti».