1 Shestimet e zemrës i takojnë njeriut,
por përgjigjja vjen nga Zoti.
2 Njeriut i duken të pastra të gjitha sjelljet e veta,
por është Zoti ai që peshon shpirtrat.
3 Paraqitja Zotit veprat e tua
dhe shestimet e tua do të zënë vend.
4 Zoti e ka bërë gjithçka me një qëllim,
deri edhe të paudhin për ditën e mbrapshtë.
5 Zotit i neveritet mendjemadhi,
vërtet nuk do të mbesë pa u ndëshkuar.
6 Me mirësi e besnikëri shlyhet faji
e me drojën e Zotit shmanget e keqja.
7 Kur Zotit i pëlqen sjellja e një njeriu,
pajton me të edhe armiqtë e tij.
8 Më mirë pak e me të drejtë,
sesa shumë e pa të drejtë.
9 Njeriu e sheston udhën e vet,
por hapat ia drejton Zoti.
10 Kumti hyjnor është në buzët e mbretit,
goja e tij nuk do të gabojë në gjykim.
11 Masa dhe peshoret e drejta i përkasin Zotit,
të gjithë gurët e peshores janë vepër e tij.
12 Veprat e mbrapshta u neveriten mbretërve,
se froni i ka themelet në drejtësi.
13 Buzët e drejtësisë e gëzojnë mbretin,
ai e do kë flet me drejtësi.
14 Zemërimi i mbretit është lajmëtar i vdekjes,
kush e zbut, është njeri i urtë.
15 Kur ndrin fytyra e mbretit, ka jetë,
përkrahja e tij është si reja e shiut pranveror.
16 Sa mirë kur njeriu fiton urtinë e jo arin,
se duhet zgjedhur mençuria në vend të argjendit.
17 Udha e të drejtëve shmang të keqen,
kush sillet me kujdes, ruan jetën e vet.
18 Krenaria i prin rrënimit
dhe shpirti i sertë sjell rënien.
19 Më mirë të përulesh me të përulurit,
se të ndash prenë me krenarët.
20 Kush i mendon mirë gjërat, gjen të mirën,
kush beson në Zotin, është i lum.
21 Njeriu i urtë do të quhet i mençur,
të folurit ëmbël e shton mësimin.
22 Kush ka urti, ka burimin e jetës,
ndëshkimi i të marrëve është marrëzia.
23 Mendja e të urtit e mençuron gojën,
ua shton mësimin buzëve të tij.
24 Thëniet e këndshme janë hoje mjalti,
ëmbëlsi për shpirtin e shërim për eshtrat.
25 Ka udhë që duket e drejtë,
por në fund shpie në vdekje.
26 Punëtorin e bën uria të punojë,
e nxit goja e vet.
27 Njeriu i pavlerë gatit ligësi,
në buzët e tij një zjarr përvëlues.
28 Njeriu mashtrues mbjell grindje,
kush shpif përçan miqtë.
29 Njeriu i dhunshëm e ngashënjen të afërtin
e udha ku e shpie nuk është e mirë.
30 Kush shkel syrin, synon mashtrimin,
kur rrudh buzët, e ka bërë ligësinë.
31 Flokët e thinjur janë kurorë e ndritshme,
ajo gjendet në udhën e drejtësisë.
32 Më mirë i durueshëm, se i fortë,
më mirë të sundosh veten, se të pushtosh një qytet.
33 Shorti hidhet në prehër,
por vendimi vjen prej Zotit.