Vegimi i katër bishave
1 Në vitin e parë të Belshacarit, mbretit të Babilonisë, Danieli pa një ëndërr dhe një vegim në mendjen e tij, teksa ishte në shtrat. Mandej ai e shkroi ëndrrën dhe thelbin e saj. 2 Danieli tregoi e tha: «Po shikoja një vegim natën, kur ja, katër erërat e qiellit po trazonin detin e madh 3 dhe katër bisha të mëdha dolën prej detit. Bishat ishin të ndryshme nga njëra-tjetra. 4 E para ngjante me luanin, por kishte krahë si të shqiponjës. Teksa po e vështroja, krahët iu këputën. Mandej u ngrit nga toka, qëndroi në dy këmbë si njeri e iu dha një zemër njeriu. 5 Pastaj ia behu një bishë tjetër, bisha e dytë, që ngjante me ariun. Bisha ishte ngritur në njërin krah dhe në gojë kishte tri brinjë që i mbante ndër dhëmbë. Asaj iu dha ky urdhër: “Ngrihu e ha shumë mish!”. 6 Ende po vështroja, kur ia behu një bishë tjetër që ngjante me leopardin. Bisha kishte katër krahë shpendi mbi kurriz dhe katër kokë. Asaj iu dha pushteti për të sunduar. 7 Teksa ende po vështroja në vegime natën, ia behu një bishë e katërt, e tmerrshme dhe e frikshme, shumë e fuqishme e me dhëmbë të mëdhenj hekuri. Hante e thërrmonte. Ç’ngelte e shtypte me këmbë. Kjo bishë ishte ndryshe nga të gjitha bishat e mëparshme dhe kishte dhjetë brirë. 8 Po i vështroja brirët, kur, mes brirëve, i mbiu një bri tjetër i vogël. Tre nga brirët e mëparshëm u shkulën prej tij. Ky bri kishte sy si të njeriut dhe gojë që fliste fjalë madhështore».
I Lashti i Ditëve
9 Po vështroja sërish, kur, ja, u vendos një fron dhe i Lashti i Ditëve u ul mbi të.
Rrobat e tij të bardha si dëbora,
flokët e kokës si leshi i pastër.
Froni i tij porsi flakët e zjarrit,
me rrota si zjarri përvëlues.
10 Një lumë zjarri derdhej,
prej pranisë së tij buronte.
Mijëra e mijëra njerëz i shërbenin,
miliarda e miliarda para tij qëndronin.
Nisi gjyqi,
librat u hapën.
11 Pashë se prej tingullit të fjalëve madhështore, që fliste briri, bisha u shkatërrua dhe pashë se kufoma e saj u copëtua e u hodh për t’u djegur në zjarr. 12 Bishave të tjera iu hoq pushteti, por iu lejua ta zgjatnin jetën edhe për një kohë të caktuar.
13 Po shikoja vegim natën dhe ja,
bashkë me retë e qiellit po vinte
dikush që ngjante me bir njeriu.
Arriti deri tek i Lashti i Ditëve,
para tij e paraqitën.
14 Atij iu dha pushteti,
lavdia e mbretëria,
mbarë popujt, kombet e gjuhët
atij do t’i shërbejnë.
Sundimi i tij i amshuar do të jetë
e fund nuk do të ketë,
mbretëria e tij
nuk do të shkatërrohet kurrë.
Shpjegimi i vegimit
15 Mua, Danielit, m’u trazua shpirti përbrenda dhe vegimet që pashë në mendjen time, më futën tmerrin. 16 Atëherë iu afrova njërit prej atyre që qëndronin atje dhe e pyeta për kuptimin e vërtetë të gjithë këtyre gjërave. Ai m’u përgjigj e më dha shpjegimin e këtyre gjërave: 17 «Këto katër bishat e mëdha janë katër mbretër që do të dalin nga toka. 18 Por, mandej mbretërinë do ta marrin të shenjtët e të Tejlartit dhe do ta mbajnë përherë e deri në amshim».
19 Pastaj doja të mësoja të vërtetën për bishën e katërt, e cila ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat. Ajo ishte më e tmerrshmja, me dhëmbë prej hekuri e kthetra prej bronzi. Gëlltiste, thërrmonte e ç’të mbetej e shkelte me këmbë. 20 Doja të dija edhe për dhjetë brirët që kishte në kokë dhe për bririn tjetër që i mbiu e që shkuli tre nga brirët e mëparshëm. Ky bri kishte sy e gojë që fliste fjalë madhështore. Nga pamja dukej më i madh se të tjerët. 21 Teksa vështroja, ai bri luftonte kundër të shenjtëve dhe po fitonte, 22 derisa mbërriti i Lashti i Ditëve. Ai u dha të drejtën të shenjtëve të të Tejlartit e mandej erdhi koha kur të shenjtët morën si trashëgimi mbretërinë.
23 Ai më tha kështu:
«Bisha e katërt
do të jetë mbretëria e katërt mbi tokë
dhe ndryshe nga mbretëritë e tjetra.
Gjithë tokën do ta gllabërojë,
do ta shtypë e do ta thërrmojë.
24 Dhjetë brirët janë dhjetë mbretër
që prej kësaj mbretërie do të dalin.
Por pas tyre, do të dalë një mbret tjetër,
i ndryshëm nga mbretërit e parë,
e tre mbretër do të rrëzojë.
25 Fjalë kundër të Tejlartit do të shqiptojë,
të shenjtët e tij do t’i përndjekë.
Do të përpiqet të ndryshojë të kremtet dhe ligjin
e në dorën e tij për njëfarë kohe do të bien,
për disa kohë e për një gjysmë kohe.
26 Mandej do t’i bëhet gjyqi
dhe sundimi do t’i hiqet.
Ai vetë do të zhbihet,
përgjithmonë do të shfaroset.
27 Popullit të shenjtë të të Tejlartit iu dha
mbretërimi, pushteti e madhështia
e të gjitha mbretërive nën qiellin mbarë.
Mbretëria e tij do të jetë mbretëri e amshuar
dhe të gjithë sunduesit atij do t’i shërbejnë
e atij do t’i binden».
28 Këtu merr fund tregimi i vegimit. Mua, Danielin, mendimet më munduan shumë, fytyra m’u err, por këto gjëra i ruajta në zemrën time.