Profeci për malet e Izraelit
1 Ti, bir i njeriut, profetizo për malet e Izraelit e thuaj: «O malet e Izraelit, dëgjojeni zërin e Zotit. 2 Kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë armiku tha për ju: “Aha, lartësitë e lashta janë bërë prona jonë”, 3 për këtë profetizo e thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: pikërisht, ngaqë ju shkretuan e ju shtypën nga të gjitha anët, saqë u bëtë pronë e kombeve të tjera dhe ratë në gojën e në gjuhën e njerëzve përfolës, 4 prandaj, o malet e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit tim, Zotit. Kështu u thotë Zoti im, Zoti, maleve e kodrave, shpateve e luginave, shkretëtirave të përcëlluara dhe qyteteve të braktisura, që janë bërë pre e tallje për kombet e tjera që i rrethojnë, 5 prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: patjetër që fola me smirë të zjarrtë kundër kombeve të tjera e kundër mbarë Edomit, që e morën tokën time si pronë për vete, duke u ngazëlluar me gjithë zemër dhe duke e përçmuar me shpirt, për ta zbrazur e për ta plaçkitur. 6 Prandaj profetizo për tokën e Izraelit dhe thuaju maleve e kodrave, shpateve e luginave, se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë fola i shtyrë nga smira e nga zemërimi, meqë ju duruat talljen e kombeve. 7 Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: betohem se kombet që ju rrethojnë do t’i durojnë vetë talljet e tyre.
8 E ju, o malet e Izraelit, nxirrni filiza e jepni fryte për popullin tim Izraelin, se do të kthehen së shpejti. 9 Se, ja, jam me ju, kah ju jam kthyer e ju do të prashiteni e do të mbilleni. 10 Unë do t’i shumoj njerëzit përmbi ju, mbarë shtëpinë e Izraelit, të tërën. Qytetet do të kenë banorë e rrënojat do të ndreqen. 11 Do t’i shumoj njerëzit e kafshët mbi ju dhe ata do të shumohen e do të shtohen. Do t’ju mbush me banorë si dikur e do t’ju mbush me të mira më shumë se në fillim. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti. 12 Do të sjell mbi ju njerëz, popullin tim Izraelin. Ata do t’ju kenë për pronë, ju do të jeni trashëgimia e tyre e nuk do t’i lini më pa fëmijë. 13 Kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë ju thonë: “Ju gëlltitni njerëz dhe e lini kombin pa fëmijë”, 14 për këtë ju nuk do të gëlltitni më njerëz e nuk do ta lini kombin tuaj pa fëmijë, kumton Zoti im, Zoti. 15 Unë nuk do të lejoj më të dëgjosh talljet e kombeve e ti nuk do të durosh fatkeqësinë e popujve. Nuk do ta lësh më kombin pa fëmijë, kumton Zoti im, Zoti».
16 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 17 «Bir i njeriut, shtëpia e Izraelit banonte në tokën e vet, por e përdhosi me sjelljen e me veprat e veta. Udhët e tyre para meje ishin si papastërtia e gruas me të përmuajshme. 18 Atëherë zbraza mbi ta zemërimin tim, për shkak të gjakut që kishin derdhur në vend, për shkak të idhujve me të cilët e kishin përdhosur. 19 I përhapa nëpër kombe dhe ishin të shpërndarë nëpër vende. I gjykova sipas sjelljeve dhe veprimeve të tyre. 20 Edhe kur shkuan te kombet për ku ishin nisur, e përdhosën emrin tim të shenjtë, sepse thoshin për ta: “Këta janë populli i Zotit, por u është dashur të dalin nga toka e tij”. 21 Atëherë u vura në sedër për emrin tim të shenjtë që shtëpia e Izraelit e kishte përdhosur ndër kombet ku kishte shkuar.
22 Prandaj thuaji shtëpisë së Izraelit se kështu thotë Zoti im, Zoti: nuk po veproj për hirin tuaj, o shtëpia e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë që ju e përdhosët ndër kombet ku kishit shkuar. 23 Do ta shenjtëroj emrin tim të madh që u përdhos ndër kombe dhe që ju e përdhosët mes tyre. Kombet do ta marrin vesh se unë jam Zoti, kumton Zoti im, Zoti, kur ta kem shenjtëruar emrin tim përmes jush para tyre. 24 Do t’ju marr prej kombeve, do t’ju mbledh prej të gjitha vendeve e do t’ju sjell në tokën tuaj. 25 Do t’ju stërpik me ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha papastërtitë. Edhe prej të gjithë idhujve do t’ju pastroj. 26 Do t’ju jap një zemër të re. Një shpirt të ri do të vë brenda jush. Do t’jua heq nga mishi zemrën e gurit dhe do t’ju jap një zemër mishi. 27 Do ta vë shpirtin tim brenda jush e do t’ju bëj të ecni sipas rregullave të mia. Ju do t’i mbani e do t’i zbatoni vendimet e mia. 28 Do të banoni në tokën që u dhashë etërve tuaj. Ju do të jeni populli im, ndërsa unë do të jem Perëndia juaj. 29 Unë do t’ju shpëtoj nga çdo papastërti. Do t’i bëzaj grurit e do ta shumoj dhe nuk do të ta dërgoj më zinë e bukës. 30 Do ta shumoj frytin e pemës dhe prodhimin e arës, që kombet të mos tallen më me ty për shkak të zisë së bukës. 31 Do t’ju kujtohen sjelljet tuaja të liga e veprat tuaja jo të mira e do t’ju pështiroset vetja për shkak të ligësive dhe të neverive tuaja. 32 Do të veproj, por jo për hirin tuaj, kumton Zoti im, Zoti. Le ta dini! T’ju vijë turp e marre për sjelljet tuaja, o shtëpia e Izraelit.
33 Kështu thotë Zoti im, Zoti: pasi t’ju kem pastruar nga të gjitha fajësitë tuaja, do t’i mbush qytetet me banorë e ata do t’i ndreqin rrënojat tuaja. 34 Toka e shkretuar do të prashitet, në vend që të mbetet shkretim në sytë e të gjithë kalimtarëve. 35 Do të thonë: kjo tokë e shkretuar u bë si kopshti i Edenit. Qytetet e shkretuara, të zhuritura, të rrafshuara, janë mëkëmbur e kanë banorë. 36 Atëherë kombet që kanë mbetur rreth jush do ta marrin vesh se unë jam Zoti. Unë ndreqa rrënojat e mbolla djerrinat. Unë jam Zoti. Fola e do të veproj.
37 Kështu thotë Zoti im, Zoti: do t’ia lejoj edhe këtë shtëpisë së Izraelit: të më lusë që t’ia shumoj njerëzit porsi grigjën. 38 Si me grigjën e shenjtë, si me grigjën e Jerusalemit në festat e caktuara, ashtu do të mbushen qytetet e shkretuara me grigja njerëzish. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti».