Ezekieli 43

Kthimi i lavdisë së Zotit

Pastaj më çoi te porta, te porta me pamje nga lindja. Dhe, ja, lavdia e Perëndisë së Izraelit vinte nga udha e lindjes. Ushtima e ardhjes së tij ishte si ushtima e ujërave të mëdha dhe toka shkëlqente prej lavdisë së tij. Pashë si në vegim diçka të ngjashme me çfarë kisha parë kur ai kishte ardhur për ta shkatërruar qytetin dhe si vegimi që kisha parë te lumi Kebar. Atëherë rashë përmbys. Lavdia e Zotit hyri në tempull përmes portës me pamje nga lindja. Shpirti më mbarti, më futi në tremen e brendshme dhe, ja, lavdia e Zotit e kishte mbushur tempullin.

Atëherë dëgjova dikë që më fliste nga tempulli, një njeri që qëndronte pranë meje, i cili më tha: «Bir i njeriut, ky është vendi i fronit tim dhe vendi i shputave të këmbëve të mia, ku do të banoj në mes të bijve të Izraelit përgjithmonë. Nuk do ta përdhosin më emrin tim të shenjtë as shtëpia e Izraelit, as mbretërit e tyre, me kurvëri, me kufomat e mbretërve të tyre dhe me faltoret në vende të larta, duke e vënë pragun e tyre te pragu im dhe shtalkat e tyre pranë shtalkave të mia, me një mur mes meje e tyre. E kanë përdhosur emrin tim të shenjtë me pështirësitë që kanë bërë, prandaj edhe i përpiu zemërimi im. Por tani do t’i flakin larg meje kurvërinë dhe kufomat e mbretërve të tyre dhe unë do të banoj mes tyre përgjithmonë.

10 Ti, bir i njeriut, tregoja shtëpisë së Izraelit këtë tempull, që ata të kenë turp nga fajësitë e veta. Pastaj ata do të bëjnë matjet. 11 Nëse u vjen turp për gjithçka kanë bërë, tregoju trajtën e tempullit, përbërjen e tij, daljet, hyrjet dhe të gjithë trajtën e tij. Tregoju edhe të gjitha rregullat, të gjitha trajtat, të gjitha ligjet e tij dhe shkruaji para syve të tyre, që t’i mbajnë tërë ligjet e tij e tërë rregullat e tij dhe t’i zbatojnë ato. 12 Ky është ligji i tempullit: në majë të malit, mbarë trualli që e rrethon është tejet i shenjtë. Ja, ky është ligji i tempullit».

Altari

13 Këto janë përmasat e altarit në kute, ku kuti është një kut e një pëllëmbë. Baza duhet të jetë një kut e lartë e një kut e gjerë. Buza në zgrip rreth tij duhet të jetë një pëllëmbë. Kjo duhet të jetë lartësia e altarit. 14 Nga baza përdhe deri te korniza e poshtme dy kute me një kute gjerësi. Nga korniza e vogël te korniza e madhe katër kute me një kut gjerësi. 15 Vatra duhet të jetë katër kute dhe mbi vatër duhen ngritur katër brirë. 16 Vatra duhet të jetë katrore, dymbëdhjetë kute gjatësi me dymbëdhjetë kute gjerësi. 17 Korniza duhet të jetë katërmbëdhjetë kute e gjatë e katërmbëdhjetë kute e gjerë. Buza përreth duhet të jetë një gjysmë kuti dhe baza përreth një kut. Shkallët e altarit duhet të jenë me pamje nga lindja.

18 Pastaj më tha: «Bir i njeriut, kështu thotë Zoti im, Zoti: këto janë rregullat e altarit, kur të ndërtohet për të kushtuar mbi të fli shkrumbimi dhe për të stërpikur gjak në të. 19 Do t’u japësh një mëzat për flinë e mëkatit priftërinjve levitë, të fisit të Cadokut, që do të afrohen tek unë për të më shërbyer, kumton Zoti im, Zoti20 Do të marrësh prej atij gjaku e do të stërpikësh katër brirët e altarit, katër qoshet e kornizës dhe buzët përreth. Kështu do ta pastrosh e do ta shlyesh. 21 Do të marrësh edhe mëzatin e flisë për mëkatet e ai do të digjet në vendin e caktuar të tempullit, përjashta shenjtërores. 22 Ditën e dytë do të kushtosh një cjap të patëmetë si fli mëkati. Atëherë altari do të pastrohet siç ishte pastruar nga mëkati me anë të mëzatit. 23 Pasi të kryesh pastrimin e tij do të kushtosh një mëzat të patëmetë prej tufës dhe një dash të patëmetë prej grigjës. 24 Ti do t’i kushtosh para Zotit, ndërsa priftërinjtë do t’i kripin e do t’ia kushtojnë Zotit si fli shkrumbimi. 25 Për shtatë ditë do të kushtosh nga një cjap si fli mëkati. Do të kushtohet edhe nga një mëzat e nga një dash i patëmetë prej grigjës. 26 Për shtatë ditë duhet ta kryejnë shlyerjen e altarit. Pastaj do ta pastrojnë e do ta shugurojnë. 27 Pasi të kalojnë këto ditë, nga dita e tetë, priftërinjtë do të kushtojnë mbi altar flitë tuaja të shkrumbimit dhe flitë e paqtimit. Atëherë unë do t’ju përkrah, kumton Zoti im, Zoti».