Kundër Tirit
1 Në vitin e njëmbëdhjetë, në ditën e parë të muajit, fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 2 «Bir i njeriut, meqë Tiri tha për Jerusalemin: “Sa mirë, u thye porta e popujve, u kthye kah unë! Tani unë do të begatohem, se ajo u shkretua!”, 3 për këtë, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja ku jam kundër teje, Tir. Do të ngre shumë kombe kundër teje, siç ngre deti dallgët e veta. 4 Do t’i rrënojnë muret e Tirit e do t’ia shembin kullat. Edhe pluhurin do ta fshij prej tij dhe do ta bëj rrasë të zhveshur. 5 Në mes të detit do të bëhet vend për të ndehur rrjetat, sepse unë fola, kumton Zoti im, Zoti. Do të bëhet pre për kombet 6 dhe bijat e saj do të vriten me shpatë nëpër ara. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti. 7 Se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po sjell nga veriu kundër Tirit Nabukodonosorin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, karroca e kalorës, me hordhi e me një popull të madh. 8 Do t’i vrasë bijat e tua me shpatë nëpër ara, do të vërë rrethimin kundër teje, do të ngrejë ledh kundër teje dhe do të nxjerrë shqytin kundër teje. 9 Do t’i gjuajë muret e tua me goditjet e deshve të tij dhe me shpatat e tij do t’i shembë kullat e tua. 10 Prej dendurisë së kuajve të tij do të mbulohesh me pluhur. Do të tranden muret e tua prej gjëmimit të kalorësve, të rrotave e të karrocave, kur të hyjë nëpër portat e tua, siç hyhet në qytetin e rënë. 11 Me thundrat e kuajve të tij do t’i shkelë të gjitha rrugicat e tua, do ta vrasë me shpatë popullin tënd dhe do të shemben përdhe shtyllat e fuqisë sate. 12 Do ta përlajnë pasurinë tënde dhe mallin do të ta plaçkisin. Do t’i shembin muret e tua, do t’i rrëzojnë pallatet e tua të hijshme dhe në mes të detit do t’i flakin gurët e tu, drurët dhe pluhurin tënd. 13 Do ta shuaj tingullin e këngëve të tua dhe nuk do të dëgjohet më zëri i lirave të tua. 14 Do të të bëj si shkëmbin e zhveshur. Do të jesh vendi ku ndehen rrjetat. Nuk do të ndërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, kumton Zoti im, Zoti.
15 Kështu thotë Zoti im, Zoti, për Tirin: a nuk do të dridhen ishujt nga fërgëllima e rrëzimit tënd, nga rënkimi i të plagosurve, kur në mesin tënd do të ndodhë theroria? 16 Të gjithë princat e detit do të zbresin nga fronet e veta, do të heqin pelerinat dhe do të zhveshin petkat e larmishme. Do të vishen me drithërima, do të ulen përdhe, do të dridhen çdo çast dhe do të tronditen prej teje. 17 Do t’ia nisin vajit për ty e do të të thonë: si u rrënove, o e banuar me bregdetas, o qytet bujëmadh, i pushtetshëm në det! Ai dhe banorët e tij u shtinin tmerrin të gjithë banorëve të vet. 18 Tani tranden ujdhesat, në ditën e rrëzimit tënd, tremben ishujt e detit në ditën e perëndimit tënd.
19 Se kështu thotë Zoti im, Zoti: pasi të të kem kthyer në një qytet të shkretuar, siç janë qytetet e pabanuara, pasi të kem ngritur kundër teje humnerën dhe të të kenë mbuluar ujërat e rrëmbyeshëm, 20 do të të zbres me ata që zbresin në gropë, drejt një populli të dikurshëm, dhe do të të vendos të banosh në dheun e thellë, në shkretimet e kahershme, me ata që zbresin në gropë, që ti të mos kesh më banorë. Atëherë do të vendos hijeshinë në tokën e të gjallëve. 21 Do të të lë në dorë të tmerrit e nuk do të jesh më. Do të të kërkojnë, por nuk do të gjendesh kurrë më, kumton Zoti im, Zoti».