1 Këngë. Psalm i bijve të Korahut. Mjeshtrit të korit. Me melodi të trishtueshme. Himn i Heman Ezrahitit.
2 O Zot, Perëndia i shpëtimit tim,
ty të thërras ditë e natë.
3 Lutja ime mbërrittë te ti,
vëri vesh kujës sime.
4 Më është mbushur shpirti me të këqija,
jeta ime është pranë skëterrës.
5 Më radhitin me ata që kallen në varr,
jam bërë si njeri pa forcë.
6 Endem mes të vdekurve,
si të vrarët që dergjen varreve,
si ata që ti nuk i kujton më,
që janë shkëputur nga dora jote.
7 Më ke plandosur në gropën më të thellë,
në skutat më të errëta të thellësive.
8 Mbi mua rëndon zemërimi yt,
mbi mua përplasen gjithë dallgët e tua. selah
9 Largove prej meje të njohurit e mi,
më bëre të neveritshëm për ta.
Jam mbyllur brenda e më nuk dal,
10 sytë më janë venitur prej mjerimit.
Ty të kam thirrur përditë, o Zot,
duart drejt teje i kam shtrirë.
11 Pse, për të vdekurit do t’i bësh mrekullitë?
Mos do të ngrihen hijet e të vdekurve të të përlëvdojnë? selah
12 Mos ka për të folur kush në varr për mirësinë tënde,
apo për besnikërinë tënde në vendin e shkatërrimit?
13 Mos kanë për t’u njohur në errësirë mrekullitë e tua,
apo drejtësia jote në vendin e harresës?
14 Por unë të thërras ty, o Zot, për ndihmë,
lutja ime mbërrin para teje që në mëngjes.
15 Përse më hedh tej, o Zot?
Përse e fsheh fytyrën prej meje?
16 I mjerë jam unë e në prag të vdekjes që në rini,
vuaj prej tmerreve të tua plot dëshpërim.
17 Më mbulojnë zemërimet e tua,
tmerret e tua më rrënojnë.
18 Më rrethojnë si uji tërë ditën,
vërshojnë mbi mua nga të gjitha anët.
19 Largove prej meje miq e shokë,
vetëm errësira më bën shoqëri.