Ligji i Përtërirë 24

Letra e ndarjes

«Kur një burrë martohet me një grua e ajo nuk i pëlqen më, sepse zbulon diçka të turpshme, t’i shkruajë fletëndarjen, t’ia japë në dorë, ta dëbojë nga shtëpia e ajo të ikë prej tij. Nëse ajo martohet me dikë tjetër, por edhe bashkëshorti i dytë i shkruan fletëndarjen, ia jep në dorë dhe e dëbon nga shtëpia, ose ai vdes, atëherë bashkëshorti i parë, që e dëboi në fillim, nuk mund ta marrë sërish për grua, sepse ajo është përdhosur. Kjo gjë është e neveritshme para Zotit. Mos e përdhos tokën që po të jep si trashëgimi Zoti, Perëndia yt.

Rregulla të ndryshme

I sapomartuari nuk do të shkojë në ushtri e nuk do ketë asnjë detyrim. Ai do të jetë i lirë në shtëpinë e vet për një vit, që ta gëzojë gruan që mori.

Askush të mos marrë peng mokrën e as gurin e sipërm të saj, sepse kështu merr peng jetën e tjetrit.

Nëse dikush rrëmben vëllanë izraelit, e trajton si skllav apo e shet, ky keqbërës të dënohet me vdekje. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt.

Ki shumë kujdes gjatë lebrës. Vepro siç do të të mësojnë priftërinjtë levitë. Mbajini të gjitha urdhërimet që u urdhërova priftërinjve. Mbaj mend se çfarë i bëri Zoti, Perëndia yt, Mirjamës rrugës kur po dilnit nga Egjipti.

10 Kur t’i japësh hua tjetrit, mos i shko në shtëpi për t’ia marrë pengun. 11 Prit jashtë e atje huamarrësi do të ta sjellë pengun. 12 Nëse ai është i varfër, mos ia mbaj pengun gjatë natës. 13 Ktheja menjëherë në të perënduar, që ai të shtrihet në rrobën e vet e të të bekojë. Kjo do të të bëjë të drejtë para Zotit, Perëndisë tënd.

14 Mos e shfrytëzo mëditësin e varfër e nevojtar, as izraelitin e as të huajin që banon në një nga qytetet e tua. 15 Jepja përditë pagën, përpara se të perëndojë dielli, sepse është i varfër e me të mbahet gjallë, që ai të mos e thërrasë Zotin kundër teje e ti të biesh në mëkat.

16 Mos i dëno me vdekje etërit për faj të fëmijëve e as fëmijët për faj të etërve. Secili do të dënohet me vdekje për fajin e vet.

17 Mos ia shtrembëro të drejtën të ardhurit jetim. Mos ia merr peng rrobën të vesë. 18 Mos harro se edhe ti ishe skllav në Egjipt e Zoti, Perëndia yt, të çliroi prej andej, prandaj unë po të urdhëroj që të bësh kështu.

19 Kur të korrësh arën, nëse harron ndonjë dorëz, mos u kthe ta marrësh. Lëre për të ardhurin, jetimin e të venë, që Zoti, Perëndia yt, të bekojë çdo vepër të duarve të tua. 20 Kur t’i shkundësh ullinjtë nga pema, mos këput çfarë mbetet nëpër degë. Lëri për të ardhurin, jetimin e të venë. 21 Kur të vjelësh vreshtin, mos i mblidh vilet e mbetura. Lëri për të ardhurin, jetimin e të venë. 22 Kujtohu se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit, prandaj edhe unë po të urdhëroj që të bësh këtë gjë».