Psalmet 11

Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.

Te Zoti kam gjetur strehë,

si mund të më thoni: «Ik maleve si zogu?».

Ja, të paudhët e ngrehin harkun,

mbi kordhë vënë shigjetën,

që nëpër errësirë të gjuajnë

mbi ata që janë zemërdrejtë.

Po të shemben themelet,

i drejti ç’mund të bëjë?

Zoti është në tempullin e tij të shenjtë,

Zoti e ka fronin në qiell,

sytë e tij vëzhgojnë,

qepallat e tij rrinë hapur mbi bijtë e njerëzve.

Zoti vë në provë të drejtin e të paudhin,

e urren atë që dëshiron dhunën.j

Mbi të paudhët do të lëshojë fatkeqësi, zjarr e squfur,

në kupë do të kenë për hise erë përvëluese.

Se Zoti është i drejtë, ai e do drejtësinë.

I drejti do ta shohë fytyrën e tij.


 j11.5 ose: Zoti e vë në provë të drejtin, por e urren të paudhin dhe atë që dëshiron dhunën