Zakaria 12

Përtëritja e Izraelit

Profeci

Fjala e Zotit për Izraelin. Kumton Zoti, ai që qiellin shtriu, tokën themeloi e shpirtin e njeriut brenda tij formoi.

«Ja, po e bëj Jerusalemin si një kupë dehëse për të gjithë popujt përreth. Edhe Juda do të rrethohet, kur Jerusalemi të sulmohet. Atë ditë, do ta bëj Jerusalemin si një peshë që gjithë kombet do të mbartin. Kushdo që e mbart do të lëndohet rëndë e të gjithë popujt e tokës do të mblidhen përreth tij. Atë ditë, kumton Zoti, do t’i hutoj kuajt e kalorësit do t’i shastis. Do t’i hedh sytë nga shtëpia e Judës, ndërsa tërë kuajt e popujve do t’i verboj. Atëherë krerët e Judës do të thonë me vete: “Forca e banorëve të Jerusalemit gjendet në Zotin e ushtrive, Perëndinë e tyre”.

Atë ditë, do t’i bëj krerët e Judës si poçja e zjarrit në mes të pyllit, porsi pishtari i zjarrtë në mes të drithit. Do t’i përpijnë sa majtas e djathtas të gjithë popujt përreth, ndërsa Jerusalemi do të mbesë në vendin e vet, në Jerusalem.

Zoti do të shpëtojë në fillim tendat e Judës, që banorët e Jerusalemit të mos krenohen e të mos lavdërohen përmbi Judë. Atë ditë Zoti do t’i mbrojë banorët e Jerusalemit. Më i dobëti prej tyre do të jetë porsi Davidi dhe shtëpia e Davidit si Perëndi, porsi engjëlli i Zotit që u paraprin. Atë ditë do t’u vihem të gjitha kombeve që dolën kundër Jerusalemit, që t’i shkatërroj.

Vaj

10 Do te derdh mbi shtëpinë e Davidit e mbi banorët e Jerusalemit shpirtin e dhembshurisë e të përgjërimit, që, kur të vështrojnë nga ai që shporuan, të vënë kujën si për birin e tyre të vetëm dhe të vajtojnë si për të parëlindurin e tyre. 11 Atë ditë gjëma në Jerusalem do të jetë po aq e madhe sa gjëma e Hadadrimonit, në fushën e Megidosë. 12 Toka do të vajtojë, çdo familje më vete; familja e shtëpisë së Davidit e gratë e tyre më vete, familja e shtëpisë së Natanit e gratë e tyre më vete, 13 familja e shtëpisë së Levit e gratë e tyre më vete, familja e Shimeit e gratë e tyre më vete 14 dhe të gjitha familjet e tjera, çdo familje e gratë e tyre më vete».