Vijimi i fjalëve të Solomonit
1 Edhe këto që kanë mbledhur njerëzit e Ezekisë, mbretit të Judës, janë fjalët e urta të Solomonit.
2 Lavdia e Perëndisë është të veprojë në fshehtësi,
lavdia e mbretërve është të zbulojnë gjërat e fshehta.
3 Qielli i lartë, toka e thellë e zemra e mbretit,
janë të pashqyrtueshme.
4 Hiqja ndryshkun argjendit
e argjendari bën enën,
5 hiqja sysh mbretit të paudhin
e froni i tij do të mbështetet në drejtësi.
6 Mos u mburr para mbretit
e mos qëndro në vendin e të mëdhenjve,
7 se është më mirë të të thonë: «Ngjitu këtu!»,
sesa të të përulin në sytë e fisnikut
që e pe me sytë e tu.
8 Mos shko me ngut në gjykatë,
se çfarë do të bësh në fund,
kur të të turpërojë fqinji?
9 Çështjen tënde rrihe me fqinjin tënd,
por të fshehtën e tjetrit mos e zbulo,
10 se kush të dëgjon, të turpëron
e çfarë ke përfolur s’mund ta kthesh mbrapsht.
11 Si mollë e artë në enë argjendi
është fjala e thënë kur duhet.
12 Si vath i artë e si stoli ari të kulluar
është i urti që qorton veshin e dëgjueshëm.
13 Si freskia e dëborës në kohë të korrash
është lajmëtari besnik për atë që e dërgon.
14 Si retë dhe era, por pa shi,
është edhe kush mburret për dhuratat që s’i bën.
15 Princi mund të bindet me durim
e gjuha e butë i thyen kockat.
16 Nëse ke gjetur mjaltë, ha sa mjafton,
se po e teprove, do ta vjellësh.
17 Shkel rrallë në shtëpinë e fqinjit,
që të mos lodhet me ty e të të urrejë.
18 Çekan, shpatë e shigjetë e mprehtë
është ai që jep dëshmi të rreme kundër të afërtit.
19 Si dhëmb i prishur e këmbë e ndrydhur
është shpresa në të pabesin në ditë ngushtice.
20 Të këndosh para zemërvrarit
është si të zhvishesh në ditë të ftohtë,
si të hedhësh uthull mbi plagë.
21 Po të ketë uri armiku yt, jepi bukë të hajë,
po të ketë etje, jepi ujë të pijë,
22 se kështu grumbullon prush mbi kokën e tij
e Zoti do të të shpërblejë.
23 Era e veriut sjell shiun,
gjuha murmuritëse fytyrën e ngrysur.
24 Më mirë të banosh në qoshen e pullazit,
se të ndash shtëpinë me gruan grindavece.
25 Si uji i freskët për një shpirt të etur
është lajmi i mirë nga dheu i largët.
26 Si gurrë e ndotur e si burim i turbullt
është edhe i drejti që luhatet para të paudhit.
27 Të hash tepër mjaltë e të kërkosh nderim pas nderimi,
nuk është mirë.
28 Si kështjellë e thyer e pa mure
është edhe njeriu që s’e sundon veten.