Romakëve 2

Gjykimi i drejtë i Perëndisë

Ti, o njeri, që gjykon të tjerët, kushdo qofsh, nuk ke asnjë shfajësim. Duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon, bën të njëjtat gjëra. Ne e dimë se gjykimi i Perëndisë për ata që bëjnë këto gjëra është sipas së vërtetës. A mendon se do t’i shpëtosh gjykimit të Perëndisë, o njeri, që gjykon ata që bëjnë të njëjtat gjëra që i bën edhe ti? Apo i përçmon pasuritë e mirësisë, të durimit dhe zemërgjerësisë së Perëndisë pa e ditur se mirësia e tij të çon në pendim?

Por me ashpërsinë tënde dhe me zemrën e papenduar po i përgatit vetes një zemërim të madh për ditën kur Perëndia do të zbulojë zemërimin dhe gjykimin e tij të drejtë. Perëndia do ta shpërblejë çdonjërin sipas veprave të veta. Atyre që me durim kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi në vepra të mira, do t’u japë jetën e amshuar, ndërsa ata që janë kryeneçë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, i pret zemërimi e tërbimi i Perëndisë. Për çdo qenie njerëzore që bën ligësi do të ketë mundim e ankth, së pari për judeun, por edhe për helenin. 10 Por për këdo që bën të mirën, do të ketë lavdi, nder e paqe, së pari për judeun, por edhe për helenin. 11 Sepse Perëndia nuk është i njëanshëm.

12 Të gjithë ata që kanë mëkatuar pa e njohur ligjin, nuk do të ndëshkohen sipas këtij ligji, ndërsa të gjithë ata që kanë mëkatuar duke e njohur ligjin, do të gjykohen sipas tij. 13 Të drejtë para Perëndisë nuk janë ata që e dëgjojnë ligjin, por ata që e zbatojnë atë.

14 Kur kombet që nuk e kanë ligjin, zbatojnë vetvetiu çfarë thotë ligji, megjithëse nuk e kanë ligjin, ato veprojnë si ta kishin atë brenda vetes së tyre. 15 Me këtë ata tregojnë se urdhërimet e ligjit janë të shkruara në zemrat e tyre, gjë për të cilën dëshmon edhe ndërgjegjja e tyre, edhe mendimet e tyre të brendshme, që herë i akuzojnë për faj e herë i shfajësojnë. 16 Kjo do të dalë në dritë ditën kur Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve përmes Krishtit Jezu, siç e pohon ungjilli që predikoj unë.

Judenjtë dhe ligji i Moisiut

17 Çfarë të themi për ty që e quan veten jude? Ti mbështetesh te ligji e mburresh me Perëndinë, 18 e njeh vullnetin e tij dhe ligji të ka mësuar të dallosh të mirën. 19 Ti je i bindur se je udhëheqës i të verbërve e dritë për ata që janë në errësirë, 20 edukator i të panxënëve e mësues i të miturve në besim, sepse në ligj ke dijen e plotë dhe gjithë të vërtetën.

21 Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson dot veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh? 22 Ti që thua se nuk duhet bërë tradhti bashkëshortore, bën tradhti bashkëshortore? Ti që ke neveri idhujt, plaçkit tempuj? 23 Ti që mburresh me ligjin, çnderon Perëndinë duke e shkelur këtë ligj? 24 Sepse, siç është shkruar: për shkakun tuaj emri i Perëndisë shahet ndër kombe.

25 Rrethprerja është e dobishme nëse ti zbaton ligjin, por nëse je shkelës i tij, rrethprerja jote nuk vlenç26 Prandaj, nëse i parrethpreri respekton urdhërimet e ligjit, a nuk do t’ia njohë atij Perëndia parrethprerjen si rrethprerje? 27 Ai që është i parrethprerë, por e zbaton ligjin, do të të gjykojë ty, që, megjithëse je i rrethprerë dhe e ke të shkruar ligjin, je shkelës i këtij ligji.

28 Sepse jude i vërtetë nuk është ai që duket i tillë së jashtmi dhe rrethprerja nuk është diçka e jashtme apo trupore, 29 por jude i vërtetë është ai që është i tillë së brendshmi. Rrethprerja e vërtetë është ajo e zemrës, që bëhet në Shpirt e jo në shkronjë. Lavdia e judeut të vërtetë nuk vjen nga njerëzit, por nga Perëndia.


 ç2.25 ose: bëhet parrethprerje