1 Mbretërve 19

Udhëtimi drejt Horebit

Ahabi i tregoi Izebelës për gjithçka që kishte bërë Elia dhe si i kishte vrarë me shpatë të gjithë profetët e Baalit. Atëherë Izebela i dërgoi lajm Elisë e i tha: «Keq e më keq ma bëfshin perënditë nëse nesër në këtë kohë nuk të bëj atë që ti i bëre secilit prej profetëve». Elia u tremb dhe u ngrit të ikte për të shpëtuar jetën. Shkoi në Bershebë të Judës dhe atje la shërbëtorin e tij.

Vetë mori rrugën e shkretëtirës dhe udhëtoi një ditë. Pastaj u ndal dhe u ul nën një gjineshtër. I kërkoi Zotit të vdiste e i tha: «Mjaft, o Zot! Merrma jetën, se nuk jam më i mirë se të parët e mi». Më pas ra e fjeti nën hijen e gjineshtrës. Papritur e preku një engjëll e i tha: «Çohu e ha». Elia u çua të shohë dhe, ja, te koka ishte një kulaç i pjekur në thëngjij dhe një katruve me ujë. Elia hëngri e piu dhe pastaj u shtri sërish. Engjëlli i Zotit u kthye përsëri, e preku Elinë e i tha: «Çohu e ha, se ke rrugë të gjatë për të bërë». Elia u çua dhe hëngri e piu. Me forcën që i dha ushqimi, eci dyzet ditë e dyzet net, derisa mbërriti në malin e Perëndisë, në Horeb.

Elia në Horeb

Kur mbërriti në Horeb, Elia hyri në shpellë dhe atje kaloi natën. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua e i tha: «Ç’bën këtu, Eli?». 10 Elia u përgjigj: «Të jam përkushtuar me shumë zell, o Zot, Perëndi i ushtrive, por izraelitët e kanë shkelur besëlidhjen tënde, kanë shkatërruar altarët e tu dhe i kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam ngelur vetëm unë dhe po kërkojnë të ma marrin jetën edhe mua». 11 Zoti i tha: «Dil nga shpella e qëndro në mal në prani të Zotit». E, ja, po kalonte Zoti. Para se të kalonte Zoti, fryu një erë e furishme dhe e fortë që çante malin e thërrmonte shkëmbinjtë, por Zoti nuk ishte në erë. Pas erës, ra tërmet, por Zoti nuk ishte as në tërmet. 12 Pas tërmetit, shpërtheu zjarri, por Zoti nuk ishte as në zjarr. Pas zjarrit, u dëgjua fërfërima e një puhize të lehtë. 13 Kur dëgjoi fërfërimën, Elia mbuloi fytyrën me gunë, doli jashtë dhe qëndroi te hyrja e shpellës. Papritur, një zë i tha: «Ç’bën këtu, Eli?». 14 Elia u përgjigj: «Të jam përkushtuar me shumë zell, o Zot, Perëndi i ushtrive, por izraelitët e kanë shkelur besëlidhjen tënde, kanë shkatërruar altarët e tu dhe i kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam ngelur vetëm unë dhe po kërkojnë të ma marrin jetën edhe mua». 15 Zoti i tha: «Ngrihu, merre përsëri rrugën e kthimit nëpër shkretëtirë e shko në Damask. Atje do të vajosësh Hazaelin si mbret të Aramit. 16 Jehun, birin e Nimshit, vajose si mbret të Izraelit, ndërsa Eliseun, birin e Shafatit nga Abel Meholahu, vajose si profet në vendin tënd. 17 Kush do t’i shpëtojë shpatës së Hazaelit do të vritet nga Jehu dhe kush do t’i shpëtojë shpatës së Jehut do të vritet nga Eliseu. 18 Në Izrael do të lë gjallë shtatë mijë vetë, ata, gjunjët e të cilëve nuk u përkulën para Baalit dhe goja e të cilëve nuk e puthi».

Thirrja e Eliseut

19 Elia u largua prej andej dhe gjeti Eliseun, birin e Shafatit, tek lëronte arat me dymbëdhjetë pendë qe. Eliseu ishte te penda e dymbëdhjetë. Elia iu afrua dhe i hodhi Eliseut gunën e vet përsipër. 20 Eliseu i la menjëherë qetë, vrapoi pas Elisë e i tha: «Më lejo të përshëndetem me tim atë e time më, para se të vij pas teje». Elia i tha: «Shko e kthehu. Mos të pengova gjë unë?». 21 Eliseu u kthye pas, mori një pendë qe dhe i kushtoi si fli. Me veglat e lërimit zieu mishin e ua dha njerëzve të hanin. Mandej u çua dhe shkoi pas Elisë e u vu në shërbim të tij.