Ligji i Përtërirë 23

«Askush të mos martohet me gruan e të atit, se e turpërondh të atin.

Asnjë i tredhur apo me gjymtyrën mashkullore të prerë, nuk do të marrë pjesë në bashkësinë e Zotit.

Asnjë fëmijë i paligjshëm nuk do të marrë pjesë në bashkësinë e Zotit. Madje, as pasardhësit e brezit të tij të dhjetë nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit.

Amonitët e moabitët nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit. Madje, as pasardhësit e brezit të tyre të dhjetë nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit. Nuk do të marrin pjesë kurrë, sepse nuk ju pritën rrugës me bukë e ujë, kur dolët nga Egjipti. Ata paguan Balaamin, birin e Beorit, nga Petora e Aram Naharaimit, që t’ju mallkonte, por Zoti, Perëndia yt, nuk deshi ta dëgjonte Balaamin. Zoti, Perëndia yt, ta ktheu mallkimin në bekim, sepse të do. Sa të jesh gjallë, mos bëj kurrë paqe me ta e mos iu sill mbarësi.

Mos e urre edomitin se e ke vëlla. Mos e urre as egjiptianin, sepse ishe i huaj në tokën e tij. Pasardhësit e brezit të tyre të tretë mund të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit.

Papastërtia në fushim

10 Kur të fushosh kundër armiqve, ruhu nga gjithçka e keqe. 11 Nëse dikush prej jush është i papastër, për shkak të derdhjes së farës gjatë natës, të dalë jashtë fushimit e të mos hyjë brenda. 12 Në të ngrysur të lahet me ujë e të hyjë brenda fushimit pasi të perëndojë dielli.

13 Cakto një vend jashtë fushimit për nevojat vetjake. 14 Mbaj një lopatë me pajisjet e tua, që, kur të dalësh jashtë, të hapësh një gropë e ta mbulosh jashtëqitjen. 15 Fushimi yt do të jetë i shenjtë, sepse Zoti, Perëndia yt, ecën përmes fushimit, që të të ruajë e të t’i shtjerë në dorë armiqtë e tu. Nëse duket ndonjë gjë e pahijshme, ai do të largohet prej teje.

Rregulla te ndryshme

16 Mos ia dorëzo të zotit skllavin që iku e erdhi te ti. 17 Le të rrijë me ty, në vendin ku ti banon e të zgjedhë një qytetet që i pëlqen. Mos e shfrytëzo.

18 Asnjë nga bijat e Izraelit të mos jetë lavire kulti e asnjë nga bijtë e Izraelit të mos jetë lavir kulti. 19 Mos kushto në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, çmimin e lavires e të qenite, sepse që të dy i neveriten Zotit, Perëndisë tënd.

20 Mos i kërko vëllait kamatë për paratë, ushqimin e gjithçka tjetër që i ke dhënë hua. 21 Kërkoja kamatën të huajit, por jo vëllait, që Zoti, Perëndia yt, të bekojë çdo vepër të duarve të tua në tokën ku po hyn për ta pushtuar.

22 Kur t’i zotohesh Zotit, Perëndisë tënd, mos vono ta kryesh zotimin, sepse Zoti, Perëndia yt, nuk të lë pa ta kërkuar e kështu do të biesh në mëkat. 23 Por, nëse nuk zotohesh, nuk do të biesh në mëkat. 24 Zbato me kujdes çdo fjalë që del nga goja jote, siç iu zotove vetë Zotit, Perëndisë tënd, kur fole me buzët e tua.

25 Kur të hysh në vreshtin e tjetrit, mund të hash sa ta ka ënda, por mos e mbush shportën. 26 Kur të hysh në arën e grurit të tjetrit, mund të këputësh kallinj me dorë, por mos korr me drapër».


 dh23.1 he. zbulon rrobën ose zbulon lakuriqësinë e të atit

 e23.19 ose: kurvarit