Jeremia 22

Kështu thotë Zoti: «Zbrit te shtëpia e mbretit të Judës, shpall atje këtë fjalë e thuaj: dëgjoje fjalën e Zotit, o mbreti i Judës, që rri ulur mbi fronin e Davidit, ti, shërbëtorët e tu dhe populli yt, që hyjnë nëpër këto porta. Kështu thotë Zoti: zbatoni të drejtën e drejtësinë dhe çlirojeni nga dora e shtypësit atë që e kanë vjedhur. Mos e mundo e mos dhuno ardhacakun, jetimin e të venë. Mos derdh gjak të pafajshëm në këtë vend. Sepse, po ta zbatoni me të vërtetë këtë urdhër, mbretërit që ulen mbi fronin e Davidit do të hyjnë përsëri nëpër portat e kësaj shtëpie, kaluar mbi karroca e mbi kuaj, bashkë me shërbëtorët e me popullin e vet. Por, nëse nuk do t’i dëgjoni këto fjalë, betohem për veten time, kumton Zoti, se kjo shtëpi do të kthehet në gërmadhë. Se kështu thotë Zoti për shtëpinë e mbretit të Judës:

si Gileadi je ti për mua,

si kreshta e Libanit,

por do të të kthej në shkretëtirë,

në qytet të pabanuar.

Do të caktoj rrënimtarë kundër teje,

secilin me armët e veta,

do t’i presin cedrat e tu të zgjedhur

e do t’i hedhin në zjarr.

Shumë kombe do të kalojnë ndanë këtij qyteti e do t’i thonë njëri-tjetrit: “Pse veproi kështu Zoti me këtë qytet madhështor?”. E do të përgjigjen: “Sepse kishin braktisur besëlidhjen e Zotit, Perëndisë së tyre, kishin adhuruar perëndi të tjerë e atyre u kishin shërbyer”».

10 Mos qani për të vdekurin

e mos vajtoni për të!

Qani me lot për ikanakun,

se më nuk do të kthehet

për ta parë dheun ku u lind.

Për bijtë e Josisë

11 Se kështu thotë Zoti për Shalumin, birin e Josisë, mbretit të Judës, që mbretëroi në vend të Josisë, atit të vet, i cili iku nga ky vend: «Nuk do të kthehet më këtu, 12 por, në vendin ku e shpërngulën, atje do të vdesë e nuk do ta shohë më këtë dhe.

13 Mjerë kush e ndërton shtëpinë me padrejtësi

e katin e epërm pa të drejtë,

që e bën të punojë falas të afërtin

e nuk i jep mëditjen

14 dhe thotë: “Do të ndërtoj për vete një shtëpi të madhe,

me dhomat e epërme të gjera”

dhe i hap dritare,

e vesh me cedër

e lyen me të kuqe.

15 Vallë, a bëhesh mbret

pse matesh me cedër?

A nuk kishte për të ngrënë e për të pirë yt atë?

Ai veproi me të drejtë e drejtësi,

prandaj i shkoi mbarë,

16 i dha të drejtën skamnorit e nevojtarit,

prandaj i shkoi mbarë.

A nuk është kjo mënyra për të më njohur,

kumton Zoti?

17 Por ti s’ke sy, as zemër,

përveçse për të përfituar,

për të derdhur gjak të pafajshëm,

për të ushtruar shtypje e dhunë».

18 Prandaj, kështu thotë Zoti për Jehojakimin, birin e Josisë, mbretit të Judës:

«Nuk do të vajtojnë për të:

“Mjerë unë, vëllai im; mjerë unë, motra ime!”.

Nuk do të vajtojnë për të:

“Mjerë unë, zotëri; mjerë unë, lartmadhëri!”.

19 Do të varroset siç varroset gomari,

do ta zvarrisin e do ta flakin përtej portave të Jerusalemit.

20 Ngjitu në Liban e bërtit,

në Bashan ngrije zërin,

bërtit në Abarim,

se u thyen të gjithë dashnorët e tu.

21 Fola me ty kur ishe e begatë,

por the: “Nuk do të dëgjoj”.

Kjo ka qenë sjellja jote që në rini,

se nuk e dëgjoje zërin tim.

22 Të gjithë barinjtë e tu do t’i kullotë era

e dashnorët e tu do të shkojnë në robëri.

Atëherë do të turpërohesh e do të poshtërohesh

për gjithë ligësinë tënde.

23 O ti që banon në Liban,

që e ke vënë folenë ndër cedra,

si do të rënkosh kur të të vijnë mundimet,

dhimbjet si të gruas kur lind?

Kundër Konjahut

24 Pasha jetën time, kumton Zoti, edhe po të ishte Konjahu, biri i Jehojakimit, mbretit të Judës, unazë vule në dorën time të djathtë, do të të kisha shqitur që andej. 25 Do të të lë në dorë të atyre që kërkojnë të të marrin shpirtin, në dorë të atyre që ua ke frikën, në dorë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, e në dorë të kaldenjve. 26 Do të të flak ty e nënën që të lindi në një tjetër dhe, ku nuk pate lindur, por ku do të vdesësh. 27 Ndërsa në tokën ku ua do shpirti të kthehen, atje nuk do të kthehen.

28 A poç i përçmuar e i thërrmuar është ky njeri, Konjahu?

Enë që askush s’e dëshiron?

Pse janë flakur ai e fara e tij, e janë degdisur,

në një tokë që nuk e njohin?

29 O tokë, o tokë, o tokë,

dëgjoje fjalën e Zotit!

30 Kështu thotë Zoti:

shënojeni këtë njeri si shterpë,

burrë që nuk ia ka dalë në jetë,

se nuk do të dalë prej farës së tij

një burrë që të ulet në fronin e Davidit

e të sundojë përsëri në Judë».