Efesianëve 3

Shërbesa për kombet

Për këtë arsye unë, Pali, i burgosuri i Krishtit Jezu për ju kombet, i lutem Perëndisë. Me siguri ju keni dëgjuar për hirin që më ka dhënë Perëndia për t’ju shërbyer juve dhe për shestimin e tij të fshehtë që ma ka bërë të njohur me anë të një zbulese. Për këtë ju kam shkruar shkurtimisht edhe më parë. Kur t’i lexoni ato që ju shkrova do të mund të kuptoni sesa thellë e njoh të fshehtën për Krishtin që nuk iu bë e njohur njerëzve të breznive të shkuara. Por tani Perëndia përmes Shpirtit, ia zbuloi këtë apostujve e profetëve të tij të shenjtë: përmes ungjillit kombet do të bëhen bashkëtrashëgimtarë me judenjtë, gjymtyrë të një trupi dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të Perëndisë përmes Krishtit Jezu.

Unë u bëra shërbëtor i këtij ungjilli falë hirit që m’u dhurua nga Perëndia e që m’u dha falë veprimit të fuqisë së tij. Mua, më të voglit nga të gjithë të shenjtët, m’u dha ky hir për t’u predikuar kombeve pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit dhe për të nxjerrë në dritë sesi Perëndia që krijoi gjithçkaa do të vinte në jetë shestimin e tijb që e kishte mbajtur të fshehur prej shekujsh. 10 Kështu tani, nëpërmjet kishës, sundimtarëve e pushteteve në vendet qiellore u bëhet e njohur urtia e shumëfishtë e Perëndisë.

11 Këtë Perëndia e bëri sipas qëllimit të tij të amshuar që ai e përmbushi përmes Krishtit Jezu, Zotit tonë. 12 Të bashkuar me Krishtin dhe përmes besimit në të, mund t’i afrohemi Perëndisë me liri e siguri të plotë. 13 Prandaj ju lutem të mos dëshpëroheni prej vuajtjeve që po kaloj për ju, përkundrazi ta keni për nder.

Njohja e dashurisë së Krishtit

14 Prandaj unë bie në gjunjë para Atitc15 prej të cilit merr jetë çdo krijesë në qiej e në tokë. 16 Perëndia ju dhëntë, sipas pasurive të lavdisë së tij e përmes Shpirtit të tij, ju bëftë më të fortë shpirtërishtç17 Krishti banoftë në zemrat tuaja përmes besimit, në mënyrë që të rrënjosur e të themeluar në dashuri, 18 të mund të kuptoni bashkë me të gjithë të shenjtët se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia e thellësia 19 e dashurisë së Krishtit. Lutem që të njihni dashurinë e Krishtit, e cila tejkalon çdo dije, që të mbusheni me gjithë plotësinë e Perëndisë.

20 Perëndisë, që mund të bëjë shumë më tepër sesa gjithçka që i kërkojmë ose mendojmë, falë fuqisë që vepron në ne, 21 atij i qoftë lavdia përmes kishës e përmes Krishtit Jezu për të gjitha breznitë, në shekuj të shekujve! Amen!


 a3.9 dorëshk. të tjera edhe: nëpërmjet Jezu Krishtit

 b3.9 ose: bashkësinë e misterit

 c3.14 dorëshk. të tjera edhe: të Zotit tonë Jezu Krisht

 ç3.16 ose: në njeriun tuaj të brendshëm