1 Dua t’ju bëj të njohur luftën e madhe që bëj për ju, për ata të Laodicesë dhe për të gjithë ata që nuk më kanë njohur personalisht. 2 Unë luftoj që zemrat e tyre të gjejnë ngushëllim, që ata të jetojnë të bashkuar me dashuri e të pasuruar me sigurinë që jep dija e plotë. Kështu ata mund të njohin të fshehtën e Perëndisëç, Krishtin. 3 Në të gjenden të fshehura të gjitha thesaret e urtisë e të dijes. 4 Këtë jua them që të mos ju gënjejë askush me fjalë joshëse. 5 Edhe pse me trup nuk jam aty, shpirtërisht jam me ju dhe gëzohem kur shikoj rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.
Plotësia e jetës
6 Kështu, përderisa e keni pranuar Jezu Krishtin si Zot, jetoni të bashkuar me të. 7 Tek ai t’i keni rrënjët e mbi të ta ndërtoni jetën tuaj. Bëhuni më të qëndrueshëm në besim, ashtu siç ju kanë mësuar, dhe jini plot mirënjohje.
8 Kujdes se mos ju mashtron ndokush me fjalë filozofike, mashtruese e të kota, fjalë që vijnë nga tradita njerëzore, nga fuqitë shpirtërore të kësaj bote e jo nga Krishti.
9 Në të vërtetë, gjithë plotësia e natyrës hyjnore banon trupërisht në Krishtin 10 dhe të bashkuar me Krishtin edhe ju e keni këtë plotësi. Ai është mbi çdo pari e pushtet. 11 Të bashkuar me Krishtin, ju keni rrethprerjen e vërtetë, jo rrethprerjen e bërë nga duar njerëzore, por rrethprerjen që vjen nga Krishti dhe që është zhveshja e trupit të mëkatit. 12 Ju u varrosët me Krishtin gjatë pagëzimit, por edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit te fuqia e Perëndisë që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve. 13 Ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive tuaja dhe të parrethprerjes, por Perëndia ju dha jetë e jua fali paudhësitë.
14 Ai e fshiu dhe e zhduku dorëshkrimin që na padiste dhe që ishte kundër nesh për shkak të urdhërimeve të tij, duke e mbërthyer në kryq. 15 Kështu Perëndia i çarmatosi paritë e pushtetet djallëzore dhe i turpëroi botërisht kur ngadhënjeu kryqi.
16 Mos lejoni t’ju gjykojë askush për çështje ushqimesh a pijesh, për çështje festash, hënash të reja a të shtunash. 17 Këto nuk janë veçse hije të gjërave që duhej të vinin, domethënë të pranisë së vërtetë të Krishtit.
18 Mos lejoni t’ju gjykojë ndonjëri që hiqet si më i lartë për shkak të vegimeve që ka parë apo që këmbëngul në përulësi të jashtme e në adhurime engjëjsh, sepse ky njeri krekoset më kot për shkak të mendjes së tij njerëzore. 19 Ai njeri nuk ka lidhje me kreun e trupit, Krishtin, nga i cili ushqehet i gjithë trupi dhe mbahet i lidhur me anë të nyjave dhe të kyçeve, duke u rritur sipas vullnetit të Perëndisë.
Jeta e re me Krishtin
20 Përderisa vdiqët bashkë me Krishtin e u çliruat nga fuqitë shpirtërore që sundojnë këtë botë, përse jetoni si t’i përkisnit botës? Përse u nënshtroheni rregullave, si: 21 «Mos e merr këtë!», «Mos e shijo atë!», apo «Mos e prek këtë!»? 22 Këto janë gjëra që janë caktuar për t’u kalbur pasi të përdoren, janë rregulla e mësime njerëzish. 23 Sigurisht, ato duken sikur kanë urti, se vishen me fetari sipas dëshirës së njerëzve, me përulësi e me një trajtim të ashpër të trupit, por në të vërtetë nuk kanë asnjë vlerë, përveçse kënaqin dobësinë njerëzore.