Numrat 19

Rregullat e pastrimit

Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Ky është rregull ligjor që Zoti ka urdhëruar: “Thuaju izraelitëve të të sjellin një mëshqerrë të kuqe, të shëndetshme e të patëmetë, që nuk është vënë në zgjedhë. Jepja priftit Eleazar. Mëshqerra të nxirret jashtë fushimit e të theret para tij. Eleazari ta ngjyejë gishtin në gjakun e mëshqerrës e të spërkatë shtatë herë para tendës së takimit. Pastaj e gjithë mëshqerra, lëkura, mishi, gjaku e rropullitë të digjen para tij. Prifti të marrë dru cedri, hisop e lesh me ngjyrë të kuqe të ndezur e t’i hedhë në mes të zjarrit që djeg mëshqerrën. Atëherë prifti të lajë rrobat e trupin e vet me ujë. Pastaj të hyjë në fushim. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Edhe ai që e dogji mëshqerrën t’i lajë rrobat e trupin e vet me ujë. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Atëherë dikush që është i pastër ta mbledhë hirin e mëshqerrës e ta vendosë jashtë fushimit, në një vend të pastër, që të përdoret nga bashkësia e izraelitëve për ujin e pastrimit, sepse është fli mëkati. 10 Ai që mblodhi hirin e mëshqerrës të lajë rrobat e veta. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Ky është rregull i përhershëm si për izraelitët, edhe për të huajt që banojnë mes jush.

11 Kushdo që prek kufomën e një njeriu, do të jetë i papastër për shtatë ditë. 12 Në ditën e tretë, të pastrojë veten me ujin e pastrimit. Në ditën e shtatë do të jetë i pastër, por nëse nuk pastrohet ditën e tretë nuk do të jetë i pastër ditën e shtatë. 13 Kushdo që nuk pastrohet pasi ka prekur kufomën e një njeriu, përdhos tendën e Zotit, prandaj dhe do të zhbihet prej Izraelit. Ai është i papastër dhe i tillë do të mbesë, sepse nuk u spërkat me ujin e pastrimit.

14 Ky është ligji për ata që vdesin në tendë: kushdo që hyn apo që është në tendë do të jetë i papastër për shtatë ditë. 15 Çdo enë e hapur e pa mbuluar me kapak do të jetë e papastër. 16 Kushdo që prek në fushë të hapur një njeri që është vrarë me shpatë apo që ka vdekur natyrshëm, eshtra njeriu apo ndonjë varr, do të jetë i papastër për shtatë ditë. 17 Për të pastruar të papastrin të merret hi nga flija për mëkatin e djegur e të shtihet në një enë të mbushur me ujin e jetës. 18 Atëherë dikush që është i pastër të marrë hisop, ta ngjyejë në ujë e të spërkatë tendën, të gjitha enët, njerëzit që ishin atje, këdo që kishte prekur ndonjë eshtër apo varr, ndonjë të vrarë apo të vdekur. 19 I pastri të spërkatë të papastrin ditën e tretë e të shtatë. Ai do ta pastrojë të papastrin ditën e shtatë. Pasi i ka larë rrobat në ujë, i papastri do të jetë i pastër në mbrëmje. 20 I papastri që nuk pastrohet të zhbihet prej bashkësisë, sepse ka përdhosur shenjtëroren e Zotit. Ai është i papastër, sepse nuk u spërkat me ujin e pastrimit. 21 Ky është rregull i përhershëm. Kushdo që spërkat ujin e pastrimit t’i lajë rrobat e veta. Kushdo që e prek ujin e pastrimit do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 22 Çdo gjë që prek i papastri do të jetë e papastër e kushdo që prek diçka të papastër do të jetë i papastër deri në mbrëmje”».