Zanafilla 26

Isaku dhe Abimeleku

Tokën e pllakosi një tjetër zi buke si ajo që kishte rënë në kohën e Abrahamit dhe Isaku shkoi në Gerar te Abimeleku, mbreti i filistinëve. Atëherë Zoti iu shfaq e i tha: «Mos shko në Egjipt, por bano në vendin që do të të tregoj. Bano si i huaj në këtë vend dhe unë do të jem me ty e do të të bekoj. Ty e pasardhësve të tu do t’ua jap tërë këto vende e kështu do të përmbush betimin që i bëra Abrahamit, atit tënd. Do t’i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe atyre do t’ua jap tërë këto vende. Të gjitha kombet e tokës do të bekohen përmes pasardhësve të tu, sepse Abrahami e dëgjoi zërin tim e i mbajti urdhrin, urdhërimet, rregullat dhe ligjet e mia». Atëherë Isaku banoi në Gerar.

Kur vendasit e pyetën për të shoqen, ai u tha: «Është motra ime», sepse kishte frikë se mos vendasit e vrisnin po të thoshte: «Është gruaja ime», ngaqë Rebeka ishte e bukur. Isaku qëndroi atje për një kohë të gjatë. Një herë, Abimeleku, mbreti i filistinëve, po sodiste nga dritarja dhe pa Isakun duke përkëdhelur Rebekën, gruan e tij. Atëherë thirri Isakun e i tha: «Pa dyshim ajo është gruaja jote. Si munde të thuash: “Është motra ime”?». Isaku iu përgjigj: «Mendova se do të vdisja për shkak të saj». 10 Abimeleku tha: «Ç’është kjo që na bëre? Për pak, dikush mund të flinte me gruan tënde e kështu do të na bëje fajtorë». 11 Kështu, Abimeleku urdhëroi tërë popullin: «Kushdo që prek këtë njeri dhe gruan e tij, me të vërtetë do të vdesë».

12 Isaku mbolli në atë vend e po atë vit korri njëqindfish. Zoti e bekoi 13 dhe ai u pasurua. Pasuria e tij sa vinte e shtohej derisa u bë shumë e madhe. 14 Ai pati dhen, qe e shumë shërbëtorë. Filistinët e kishin zili, 15 prandaj ia mbyllën e ia mbuluan me dhe të gjitha puset që kishin hapur shërbëtorët e të atit, në kohën e Abrahamit. 16 Atëherë Abimeleku i tha Isakut: «Largohu, sepse je bërë më i fuqishëm se ne».

17 Isaku u largua prej andej, fushoi në luginën e Gerarit e banoi atje. 18 Ai i rihapi puset e hapura në kohën e Abrahamit, atit të tij, që filistinët mbyllën pas vdekjes së Abrahamit e i quajti njësoj siç i kishte quajtur i ati. 19 Shërbëtorët e Isakut gërmuan në luginë e gjetën një burim me ujë të freskët. 20 Barinjtë e Gerarit u grindën me barinjtë e Isakut e thanë: «Uji është yni!». Ai e quajti pusin Esek, sepse ata u grindën me të. 21 Hapën dhe një pus tjetër, por edhe për të u grindën, prandaj e quajti Sitna. 22 Pastaj lëvizi prej andej dhe hapi një pus tjetër. Por për këtë pus nuk u grindën. Kështu, e quajti Rehobot e tha: «Tani Zoti na ka hapur vend e aty do të shumohemi».

23 Prej andej u nis për në Bershebë. 24 Po atë natë Zoti iu shfaq e i tha: «Unë jam Perëndia i Abrahamit, atit tënd. Mos ki frikë, se unë jam me ty. Do të të bekoj e do t’i shumoj pasardhësit e tu për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim». 25 Isaku ngriti një altar dhe thirri emrin e Zotit. Aty vuri tendën dhe, po aty, shërbëtorët e tij hapën një pus.

26 Ndërkaq Abimeleku erdhi tek ai prej Gerarit bashkë me Ahuzatin mikun e tij dhe Pikolin, prijësin e ushtrisë së tij. 27 Isaku u tha: «Përse erdhët tek unë? Ju më urreni e më keni dëbuar». 28 Ata u përgjigjën: «Kemi parë qartë se Zoti ka qenë me ty. Atëherë thamë të bëjmë një betim mes dy palëve, mes nesh dhe teje, e le të lidhim një besëlidhje me ty, 29 që të mos na bësh ndonjë gjë të ligë ashtu si dhe ne nuk të prekëm, por të bëmë vetëm mirë e të lamë të shkoje në paqe. Tani ti je i bekuari i Zotit». 30 Atëherë Isaku u përgatiti një gosti e ata hëngrën e pinë. 31 Kur u ngritën herët në mëngjes, u betuan me njëri-tjetrin. Isaku i përcolli e ata u larguan prej tij në paqe. 32 Po atë ditë erdhën shërbëtorët e Isakut, i treguan për pusin që kishin hapur e i thanë: «Gjetëm ujë». 33 Kështu, ai e quajti Shebë, prandaj qyteti quhet Bershebë deri më sot.

34 Esau ishte dyzet vjeç kur mori për grua Juditën, bijën e Ber Hititit, dhe Basematën, bijën e Elon Hititit. 35 Këto u bënë shkak hidhërimi për Isakun e Rebekën.