1 Te ti, o Zot, kërkova strehë,
mos lejo të turpërohem asnjëherë.
2 Sipas drejtësisë sate shpëtomë e çliromë,
prire veshin drejt meje e shpëtomë.
3 Bëhu për mua shkëmbi,
ku gjej përherë strehim.
Ti ke urdhëruar shpëtimin tim,
se ti je shkëmbi dhe fortesa ime.
4 O Perëndia im, shpëtomë nga dora e të paudhit,
nga kthetra e keqbërësit dhe e shtypësit.
5 Se ti, o Zot, je shpresa ime,
te ti, o Zot, kam besim që në rini.
6 Te ti jam mbështetur që në bark të nënës,
prej barkut të saj ti më nxore,
ty të përlëvdoj përherë.
7 Për shumë njerëz u bëra si shenjë mrekullie,
se ti ke qenë streha ime e fortë.
8 Goja ime është plot lavde për ty,
tërë ditën ty të madhëron.
9 Mos më hidh poshtë në pleqëri,
mos më braktis kur të më lënë fuqitë.
10 Ja, armiqtë e mi po flasin kundër meje,
ata që më përgjojnë, po shestojnë bashkë.
11 «Perëndia e ka braktisur», thonë.
«Ndiqeni pas e kapeni,
se nuk ka kush ta shpëtojë».
12 O Perëndi, mos u largo prej meje,
o Perëndia im, shpejto të më ndihmosh!
13 U turpërofshin e u shofshin
kundërshtarët e shpirtit tim,
u poshtërofshin e u turpërofshin
ata që më duan të keqen.
14 E unë do të shpresoj gjithmonë te ti,
do të të lavdëroj gjithnjë e më shumë.
15 Goja ime do të shpallë drejtësinë tënde,
gjithë ditën do të kumtojë shpëtimin tënd,
që nuk di ta mat.
16 Do të shpall veprat e fuqishme të Zotit, Zotit tim,
do të sjell ndër mend drejtësinë që është vetëm e jotja.
17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në rini,
e deri tani unë shpall mrekullitë e tua.
18 As kur të plakem e të thinjem,
mos hiq dorë prej meje, o Perëndi,
derisa t’ia shpall pushtetin tënd kësaj breznie,
fuqinë tënde të gjithë atyre që do të vijnë.
19 Drejtësia jote, o Perëndi, arrin lartësitë,
se ti ke bërë vepra madhështore.
O Perëndi, kush është i ngjashëm me ty?
20 Ti, që më dhe shumë fatkeqësi e mjerime,
ti do të ma përtërish jetën,
nga thellësitë e tokës do të më nxjerrësh,
lart do të më ngresh sërish.
21 Do të më japësh më shumë madhështi.
Do të kthehesh e do të më ngushëllosh.
22 E unë do të të përlëvdoj me tingullin e lirës,
besnikërisë sate do t’i këndoj, o Perëndia im,
do të të himnoj me harpë, o i shenjti i Izraelit.
23 Buzët e mia do të ngazëllejnë, kur të këndojnë për ty,
bashkë me shpirtin tim, që ti e shpengove.
24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde,
u turpërofshin e u poshtërofshin ata që ma duan të keqen.