Zanafilla 3

Mosbindja e Adamit dhe e Evës

Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha kafshët e egra që Zoti Perëndi kishte bërë. Ai i tha gruas: «A ju ka thënë vërtet Perëndia të mos hani nga asnjë pemë e kopshtit?». Gruaja i tha gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë, por për frytin e pemës në mes të kopshtit, Perëndia tha: “Mos hani prej saj e mos e prekni, përndryshe do të vdisni”». Atëherë gjarpri i tha gruas: «Nuk do të vdisni, jo, sepse Perëndia e di se ditën që do të hani prej saj, do t’ju hapen sytë e do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën e të keqen».

Dhe gruaja pa se pema ishte e mirë për t’u ngrënë, joshëse për syrin e tërheqëse, sepse jepte dijen. Ajo mori nga fryti i pemës, hëngri e i dha edhe burrit të saj që ishte me të. Hëngri edhe ai. Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve.

Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi duke shëtitur në kopsht, në flladin e ditës, dhe njeriu me gruan e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi mes pemëve të kopshtit.

Zoti Perëndi e thirri njeriun e i tha: «Ku je?». 10 Ai u përgjigj: «Ta dëgjova zërin në kopsht e pata frikë, se isha lakuriq, prandaj u fsheha». 11 Dhe ai tha: «Kush të tha se je lakuriq? A mos hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash?». 12 Njeriu u përgjigj: «Gruaja që më dhe, më dha prej pemës e unë hëngra». 13 Zoti Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra».

14 Zoti Perëndi i tha gjarprit:

«Për këtë që bëre,

mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra.

Mbi bark do të zvarritesh

e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde.

15 Armiqësi do të shtie mes teje e gruas,

mes farës tënde e farës së saj

që do të ta shtypë kokën,

ndërsa ti do t’i plagosësh thembrën».

16 Gruas i tha:

«Shumë dhimbje barre do të të jap

e me mundim do t’i lindësh fëmijët.

Burrin tënd do ta dëshirosh,

por ai do të sundojë mbi ty».

17 Adamit i tha:

«Meqë dëgjove gruan

e hëngre nga pema

që të urdhërova

të mos hash,

mallkuar qoftë toka për shkakun tënd!

Me mund do të hash prej saj gjithë ditët e jetës sate.

18 Gjemba e ferra do të prodhojë për ty

e bimët e fushës do të hash.

19 Me djersën e ballit

do ta nxjerrësh bukën e gojës

derisa të kthehesh në dhe,

se prej tij u nxore,

pluhur je

e në pluhur do të kthehesh».

20 Njeriu e quajti gruan Evë, se ajo ishte nëna e gjithë të gjallëve. 21 Zoti Perëndi bëri veshje prej lëkure për Adamin e gruan e tij dhe i veshi ata.

22 Pastaj Zoti Perëndi tha: «Ja, njeriu u bë si një nga ne. Ai njeh të mirën e të keqen. Nëse tani zgjat dorën dhe merr e ha edhe nga pema e jetës, do të jetojë përjetë». 23 Prandaj Zoti Perëndi e nxori jashtë kopshtit të Edenit që të punojë tokën prej së cilës u mor. 24 E dëboi njeriun dhe në lindje të kopshtit të Edenit vendosi kerubëtdh dhe një shpatë flakëruese që vringëllon për të ruajtur udhën për te pema e jetës.


 dh3.24 ose: kerubimët; kerubinët