2 Samuelit 10

Mposhtja e armiqve

Pas këtyre ngjarjeve mbreti i amonitëve vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Hanuni, i biri. Davidi tha: «Do të tregohem i mirë me Hanunin, birin e Nahashit, siç u tregua i mirë me mua i ati». Davidi dërgoi disa shërbëtorë për ta ngushëlluar për të atin. Shërbëtorët e Davidit shkuan në dheun e amonitëve. Atëherë prijësit e amonitëve i thanë Hanunit, zotërisë së tyre: «Mos vallë Davidi t’i dërgoi ngushëlluesit për të nderuar atin tënd? Apo shërbëtorët e Davidit kanë ardhur te ti për të hetuar qytetin, për ta vëzhguar e për ta përmbysur?». Atëherë Hanuni mori shërbëtorët e Davidit, ua rruajti njërën faqe të mjekrës, ua shqeu rrobat më dysh deri te vithet dhe i ktheu nga kishin ardhur. Kur i treguan Davidit, ai dërgoi njerëz për t’i takuar, sepse ndiheshin shumë të poshtëruar. Mbreti u tha: «Rrini në Jeriko derisa t’ju dalë mjekra, pastaj kthehuni».

Kur amonitët e panë se ishin bërë të urryer për Davidin, paguan njëzet mijë këmbësorë arameas prej Bet Rehobit dhe prej Cobait, për mbretin e Makahut me një mijë burra dhe për dymbëdhjetë mijë burra prej Tobit. Kur e mori vesh, Davidi dërgoi Joabin dhe mbarë ushtrinë e trimave. Amonitët dolën dhe u rreshtuan për betejë në të hyrë të portave, ndërsa arameasit prej Cobait e prej Rehobit dhe burrat e Tobit e Makahut qëndruan veçmas në fushë.

Joabi e vuri re se ishte i rrethuar nga para dhe nga pas, prandaj zgjodhi disa prej burrave më të spikatur në Izrael dhe i rreshtoi kundër arameasve. 10 Pjesën tjetër të ushtrisë ia la Abishait, vëllait të vet. Këta u rreshtuan kundër amonitëve. 11 Pastaj tha: «Nëse arameasit janë më të fortë se unë, ti do të vish për të më shpëtuar, por, nëse amonitët janë më të fortë se ti, do të vij unë për të të shpëtuar. 12 Bëhu i fortë! Të tregohemi të fortë për popullin tonë e për qytetet e Perëndisë tonë. Zoti e bëftë si t’i duket mirë!». 13 Atëherë Joabi, dhe populli që ishte me të, iu turr në betejë arameasve, të cilët ua mbathën këmbëve. 14 Kur amonitët panë se arameasit kishin ikur, ia mbathën edhe ata prej Abishait dhe u kthyen në qytet. Joabi u kthye prej amonitëve dhe shkoi në Jerusalem.

15 Kur arameasit panë se humbën përballë Izraelit, u mblodhën bashkë. 16 Hadadezeri dërgoi njerëz për të thirrur arameasit që ishin përtej Eufratit. Ata erdhën në Helam. U printe Shobahu, kreu i ushtrisë së Hadadezerit. 17 Kur i treguan Davidit, ai mblodhi mbarë Izraelin, kapërceu Jordanin dhe mbërriti në Helam. Ata u rreshtuan kundër Davidit dhe u ndeshën me të. 18 Por arameasit morën arratinë përballë Izraelit. Davidi vrau shtatëqind kalorës karrocash dhe dyzet mijë kalorës. Vrau edhe Shobahun, kreun e ushtrisë, i cili ra dhe vdiq në vend. 19 Kur tërë mbretërit që i shërbenin Hadadezerit panë se po humbnin kundër Izraelit, bënë paqe me Izraelin dhe iu nënshtruan. Arameasit patën frikë t’i ndihmonin amonitët.