Levitiku 25

Viti shtunor

Zoti i tha Moisiut në malin e Sinait: «Fol me izraelitët e thuaju: kur të hyni në tokën që po ju jap, edhe toka të bëjë pushim shtunor në nder të ZotitMbille arën për gjashtë vjet, krasite vreshtin për gjashtë vjet e vilja prodhimet, por vitin e shtatë edhe toka të bëjë pushim shtunor në nder të Zotit. Mos e mbill arën e mos e krasit vreshtin. Mos korr çka prodhon vetvetiu toka e mos e vil rrushin e vreshtit të pakrasitur. Është vit pushimi shtunor për tokën. Ushqehuni me atë që toka prodhon vetvetiu gjatë vitit të pushimit shtunor, ti, shërbëtori yt, shërbëtorja jote, mëditësi yt dhe i huaji që banon mes popullit tënd. Me atë që toka prodhon vetvetiu të ushqehen edhe bagëtitë e kafshët e tua».

Pesëdhjetëvjetori

«Numëro shtatë javë vitesh, domethënë shtatë herë shtatë. Këto shtatë javë vitesh bëjnë dyzet e nëntë vjet. Atëherë bjeri borisë në ditën e dhjetë të muajit të shtatë. Është dita e shlyerjes, prandaj bjerini borisë anembanë vendit. 10 Vitin e pesëdhjetë shpalleni si vit të shenjtë dhe kumtoni në mbarë vendin lirinë për të gjithë banorët. Ky vit le të jetë për ju pesëdhjetëvjetor. Gjithkush le të kthehet në pronën e vet dhe në fisin e vet. 11 Viti i pesëdhjetë le të jetë pesëdhjetëvjetor për ju. Mos mbillni e mos korrni ç’ka mbirë vetvetiu dhe vreshtat e pakrasitura mos i vilni, 12 sepse është pesëdhjetëvjetor. Ai është i shenjtë për ju. Hani ç’të ketë mbirë vetvetiu.

13 Në këtë pesëdhjetëvjetor, secili të kthehet në pronën e vet. 14 Kur t’i shesësh ndonjë gjë të afërtit apo kur të blesh prej tij, mos e mashtroni njëri-tjetrin. 15 Bli prej të afërtit sipas numrit të viteve pas pesëdhjetëvjetorit dhe ai të të shesë sipas numrit të viteve deri në pesëdhjetëvjetor. 16 Sa më shumë vite të mbeten aq më shumë të rritet çmimi dhe sa më pak vite të mbeten aq më shumë të ulet çmimi, sepse po të shet numrin e korrjeve. 17 Mos përfito prej të afërtit dhe druaje Perëndinë tënd, sepse unë jam Zoti, Perëndia yt.

18 Zbatojini rregullat e mia dhe mbajini vendimet e mia. Zbatojini ato, që të jetoni të sigurt në vendin tuaj. 19 Kështu, toka do të japë prodhimet e veta, ju do të hani e do të ngiheni dhe do të banoni të sigurt në të. 20 Ju mund të thoni: “Çfarë do të hamë vitin e shtatë, nëse nuk mbjellim e nuk korrim?”. 21 E, pra, unë do ta bekoj për ju vitin e gjashtë, që të japë prodhimin e tre viteve. 22 Vitin e tetë do të mbillni e do të ushqeheni me prodhimet e vjetra deri në vitin e nëntë. Derisa të vijë prodhimi i ri do të hani prodhimin e vjetër».

Pronësia

23 «Toka nuk mund të shitet përgjithmonë, sepse është e imja. Ju jeni të huaj e banorë të përkohshëm. 24 Kështu, në mbarë vendin që do të merrni në pronësi, do të jepni të drejtën e shpengimit të tokës. 25 Nëse ndonjë nga vëllezërit tuaj varfërohet dhe i duhet të shesë një pjesë të pronës, shpenguesi më i afërt të shpengojë çfarë shiti i vëllai. 26 Nëse nuk ka shpengues më të afërt, por ia del të gjejë shumën për shpengimin, 27 të numërojë vitet që kanë kaluar nga blerja dhe t’i japë blerësit shumën e mbetur, që prona t’i kthehet sërish atij. 28 Nëse nuk ia del të gjejë shumën për shpengimin, prona i mbetet blerësit deri në pesëdhjetëvjetor. Në pesëdhjetëvjetor prona e shitur i kthehet të zotit.

29 Nëse dikush shet shtëpinë brenda një qyteti të rrethuar me mure, mund ta shpengojë deri një vit pas shitjes së saj. 30 Por, nëse nuk e shpengon shtëpinë brenda qytetit të rrethuar me mure dhe viti kalon, atëherë shtëpia i përket brez pas brezi atij që e bleu dhe nuk mund të shpengohet as në pesëdhjetëvjetor. 31 Shtëpitë e fshatrave pa mure rrethuese mund të shiten si arat, mund të shpengohen dhe në pesëdhjetëvjetor i kthehen të zotit. 32 Shtëpitë e levitëve që ndodhen në qytetet e levitëve, mund të shpengohen prej tyre në çdo kohë. 33 Edhe nëse e shpengon një tjetër levit, në pesëdhjetëvjetor ajo shtëpi në atë qytet i kthehet të zotit, sepse shtëpitë e qyteteve të levitëve mbahen ndër izraelitë si pronë e levitëve. 34 Kullotat e qyteteve të tyre nuk mund të shiten, sepse janë pronë e tyre përgjithmonë».

Huaja për të varfrit

35 «Nëse vëllai yt varfërohet e nuk ka të të shpaguajë, pranoje si të huajin e shtegtarin dhe lëre të jetojë me ty. 36 Mos merr kamatë prej tij e mos përfito prej tij. Druaje Perëndinë tënd dhe lëre vëllanë tënd të jetojë me ty. 37 Nuk do t’i japësh hua me kamatë dhe nuk do t’i japësh ushqim për përfitim. 38 Unë jam Zoti Perëndia juaj, që ju nxori prej tokës së Egjiptit për t’ju dhënë tokën e Kanaanit dhe për të qenë Perëndia juaj.

39 Nëse vëllait yt shitet te ti prej skamjes, mos e detyro të të shërbejë si skllav. 40 Trajtoje si mëditës e si të huaj dhe ai do të të shërbejë deri në pesëdhjetëvjetor. 41 Atëherë të largohet prej teje bashkë me të bijtë e të kthehet te fisi dhe te prona e etërve të vet. 42 Se ata janë shërbëtorët e mi që unë i nxora prej tokës së Egjiptit dhe ata nuk mund të shiten si skllevër. 43 Mos sundo mbi të me ashpërsi, por druaj Perëndinë tënd.

44 Mund të merrni skllevër dhe skllave prej popujve që ju rrethojnë. Vetëm prej tyre mund të blini skllevër e skllave. 45 Mund të blini skllevër edhe prej bijve të të huajve që jetojnë me ju ose prej fiseve të tyre që kanë lindur në tokën tuaj e që jetojnë me ju. Ata mund t’i bëni pronë 46 dhe mund t’ua lini si trashëgim bijve tuaj, që t’i keni përgjithmonë për pronë si skllevër. Mbi vëllezërit tuaj izraelitë mos sundoni me ashpërsi.

47 Nëse ndonjë nga të huajt apo shtegtarët që jetojnë ndër ju pasurohet dhe vëllai juaj i varfër shitet tek ai apo te kushdo prej fisit të tij, 48 ai ka të drejtën të shpengohet pas shitjes. Ta shpengojë njëri prej vëllezërve të tij. 49 Ta shpengojë ungji, i biri i ungjit ose kushdo prej farefisit. Edhe vetë, po t’i ketë mundësitë, ta shpengojë veten. 50 Të llogarisë me blerësin kohën që nga viti i shitjes deri në pesëdhjetëvjetor. Çmimi i shpengimit të llogaritet sipas viteve, duke i vlerësuar ditët si ditë rrogëtari. 51 Nëse vitet e mbetura janë shumë, le ta paguajë shpengimin sipas çmimit të blerjes. 52 Nëse mbeten pak vite deri në pesëdhjetëvjetor, le ta paguajë shpengimin sipas numrit të viteve. 53 Ta trajtojë si rrogëtar të punësuar nga viti në vit dhe të mos sundojë ashpër mbi të faqe jush. 54 Nëse nuk mund të shpaguhet në këtë mënyrë, në pesëdhjetëvjetor të largohet bashkë me bijtë e vet, 55 sepse bijtë e Izraelit janë shërbëtorët e mi, të cilët unë i nxora prej tokës së Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj».