Isaia 11

Pasardhësi i Davidit

Një degë do të dalë prej trungut të Jeseut,

një filiz do të mbijë nga rrënja e tij.

Në të do të prehet shpirti i Zotit,

shpirti i urtisë e i mençurisë,

shpirti i këshillës e i fuqisë,

shpirti i dijes e i drojës së Zotit.

Kënaqësia e tij do të jetë droja e Zotit.

Ai s’do të gjykojë sipas asaj që sheh me sy

e s’do të vendosë sipas asaj që dëgjon me veshë.

Skamnorët do t’i gjykojë me drejtësi

e do të marrë vendime të drejta

për të përulurit e tokës.

Me thuprën e gojës së tij do ta godasë tokën,

me frymën e buzëve të tij do ta vrasë të paudhin.

Drejtësia do të jetë brezi i mesit të tij,

besnikëria brezi që do të ngjeshë ijëve.

Ujku do të banojë me qengjin,

leopardi do të shtrihet bri kecit,

viçi e këlyshi i luanit do të kullotin bashkë,

fëmija i vogël do t’u prijë udhës.

Lopa e arusha do të kullotin bashkë,

këlyshët e tyre tok do të rrinë,

luani kashtë do të hajë si kau.

Foshnja do të luajë mbi vrimën e gjarprit,

fëmija do ta fusë dorën në strofullin e nepërkës.

Nuk do të dëmtohet kush

e as do të vritet kush

në mbarë malin tim të shenjtë,

se toka do të mbushet me dijen e Zotit,

siç mbulojnë ujërat detin.

Teprica e Izraelit

10 Atë ditë rrënja e Jeseut

do të ngrihet si flamur për popujt,

atë do të kërkojnë kombet,

e lavdishme do të jetë banesa e tij.

11 Atë ditë Zoti do ta shtrijë sërish krahun,

për të shpenguar tepricën e popullit të tij,

ata që do të kenë mbetur në Asiri e në Egjipt,

në Patros e në Kush, në Shinar e në Hamat,

nëpër ishujt e detit.

12 Do të ngrejë emblemën për kombet,

të shpërngulurit e Izraelit do t’i mbledhë,

të dëbuarit e Judës do t’i bashkojë

nga të katërt anët e dheut.

13 Smira e Efraimit do të marrë fund,

armiqtë e Judës do të shfarosen,

Efraimi s’do të ketë më smirë për Judën

e Juda s’do ta ngucë Efraimin.

14 Do të vërsulen mbi kurrizin e filistinëve në perëndim,

popujt e lindjes bashkë do t’i plaçkitin,

do ta shtrijnë krahun mbi Edomin e Moabin,

bijtë e Amonit do t’u nënshtrohen.

15 Zoti do ta shkatërrojë krejt gjirin e detit të Egjiptit,

lart do ta ngrejë dorën kundër Eufratit,

me zjarrminë e frymës së tij,

do ta godasë e do ta ndajë në shtatë përrenj,

me sandale do të kapërcehet.

16 Do të hapet një udhë për tepricën e popullit të tij,

të atyre që do të kenë mbijetuar në Asiri,

ashtu siç u bë dikur për Izraelin,

ditën që doli prej dheut të Egjiptit.