1 Kush ndjek tekat e veta, ndahet nga shokët,
shpërthen kundër çdo këshille.
2 Të marrin nuk e gëzon mençuria,
por shprehja e mendimeve të veta.
3 Bashkë me të ligun vjen edhe përçmimi,
bashkë me turpin vjen edhe poshtërimi.
4 Fjalët e gojës së njeriut janë ujëra të thella,
lum gufues është burimi i urtisë.
5 Nuk është mirë të mbështetësh të paudhin
e të përmbysësh të drejtin para gjyqit.
6 Buzët e të marrit çojnë në grindje
dhe goja e tij thërret për goditje.
7 Goja e të marrit është rrënimi i tij,
buzët e tij lak për jetën e vet.
8 Fjalët e shpifësit janë si gjella e shijshme,
zbresin gjer te zorrët e barkut.
9 Kush është i ngathët në punën e vet,
është vëlla me kryerrënuesin.
10 Kullë e fortë është emri i Zotit,
atje rend i drejti dhe është i mbrojtur.
11 Kamja e të pasurit është kështjella e tij,
mur i lartë në përfytyrimin e tij.
12 Mendjemadhësia e njeriut i prin rrënimit,
lavdisë i prin përulësia.
13 Turp e faqja e zezë
për kë përgjigjet para se të dëgjojë.
14 Shpirti e mbështet njeriun në sëmundje,
po shpirtin e pikëlluar kush do ta mëkëmbë?
15 Mendja e mprehtë e arrin njohjen,
njohjen e kërkon veshi i të urtëve.
16 Dhurata ia hap rrugët njeriut,
e udhëheq përpara të mëdhenjve.
17 Kush flet i pari në një zënkë, duket i drejtë,
por vjen tjetri dhe e heton.
18 Grindjet mbyllen me short,
shorti vendos edhe mes të fuqishmëve.
19 Një vëlla i fyer është më i fortë se një kështjellë;
grindjet janë si hekurat e një kulle.
20 Njeriu ngihet me çfarë nxjerr nga goja,
me çfarë del nga buzët e tij.
21 Vdekja e jeta varen nga gjuha,
kush e do atë, do t’ia hajë frytet.
22 Kush gjen një grua, ka gjetur të mirën,
ka fituar përkrahjen e Zotit.
23 Fjalët e skamnorit janë përgjërime,
ndërsa i pasuri përgjigjet vrazhdë.
24 Njeriu mund ta pësojë nga miqtë,
por miku mund të jetë më i shtrenjtë se vëllai.