Mbretërimi i drejtësisë
1 Ja, mbreti do të mbretërojë me drejtësi,
me drejtësi do të sundojnë sunduesit.
2 Secili do të jetë si strehorja kundër erës,
si streha kundër rrebeshit,
si përrenjtë e ujit në tokë të etur,
si hija e shkëmbit në tokë të zhuritur.
3 Sytë e atyre që shohin nuk do të erren më,
veshët e atyre që dëgjojnë do të jenë të hapura.
4 Zemra e të paditurve do të fitojë dije,
gjuha e atyre që belbëzojnë
do të rrjedhë e do të flasë qartë.
5 I marri s’do të quhet më fisnik,
mashtruesi s’do të quhet burrë zotëri.
6 Sepse i marri flet veç marrëzi,
paudhësi sendërgjon zemra e tij,
sesi e si të kryejë pabesi
e poshtërsi të thotë kundër Zotit.
Të uriturit barkun zbrazët ia lë,
të eturit nuk i jep të pijë.
7 Mashtruesi përdor armë të poshtra,
të këqija sendërgjon,
që ta rrënojë me fjalë të rreme të varfrin,
edhe skamnorin, që kërkon drejtësi.
8 Por fisniku sendërgjon fisnikëri
e në fisnikëri qëndron.
9 Ngrihuni, o gra mendjelehta,
dëgjojeni zërin tim;
ju, o bija të vetëkënaqura,
vërini vesh fjalës sime!
10 Pas më shumë se një viti
do të dridheni, o të vetëkënaqura,
se ka për të përfunduar vjelja
e mbledhje frutash s’do të ketë më.
11 Fërfëllini, pra, o mendjelehta,
trembuni, o të vetëkënaqura,
hiqini rrobat e zhvishuni,
ngjishni ijëve grathoren.
12 Rrihni gjoksin e vajtoni për arat e këndshme,
për vreshtat pjellore,
13 për tokën e popullit tim
që e mbuluan gjemba e ferra,
për të gjitha shtëpitë e gëzuara,
për qytetin që ngazëllen.
14 Se do të braktiset edhe kështjella,
qyteti i zhurmshëm do të shkretohet,
fortesa e Ofelit, bashkë me kullën e vrojtimit,
do të kthehen përgjithmonë në shpella,
në lodrim për gomarët e egër,
në kullotë për bagëtitë.
15 Por, kur të dikojë mbi ne sërish
Shpirti prej së larti,
shkretëtira do të bëhet kopsht pjellor
e kopshti si pyll do të vlerësohet.
16 Në shkretëtirë do të banojë e drejta,
në kopsht do të vendoset drejtësia.
17 Fryt i drejtësisë do të jetë paqja,
vepër e drejtësisë do të jetë qetësia,
ajo do të jetë siguria deri në amshim.
18 Populli im do të vendoset në vend paqeje,
do të banojë në banesa të sigurta,
në vende të qeta, pa shqetësime,
19 edhe pse pylli do të dëmtohet prej breshrit,
edhe pse qyteti do të fundoset thellë.
20 Lum ju që mbillni pranë ujërave
dhe e lini të lirë kaun e gomarin.