Ndërtimi i tempullit
1 Solomoni filloi ndërtimin e tempullit të Zotit në Jerusalem, në malin Moriah, ku Zoti i ishte shfaqur Davidit, atit të tij. Davidi e kishte bërë gati vendin në lëmin e Ornan Jebusitit. 2 Solomoni e filloi ndërtimin e tempullit në ditën e dytë të muajit të dytë të vitit të katërt të mbretërimit të tij. 3 Përmasat e tempullit të Perëndisë që po ndërtonte Solomoni ishin gjatësia tridhjetë metra dhe gjerësia dhjetë metra. 4 Portiku në ballinën e tempullit ishte i gjatë sa gjerësia e tempullit, pra dhjetë metra. Lartësia ishte gjashtëdhjetë metra. Muret e brendshme u veshën me ar të pastër. 5 Anijatën Solomoni e veshi me dru qiparisi e pastaj me ar të pastër. Në to gdhendi palma dhe zinxhirë. 6 Anijatën e zbukuroi me gurë të çmuar, ndërsa ari vinte nga Parvajimi. 7 Solomoni i veshi me ar trarët, pragjet, muret dhe dyert e anijatës, ndërsa mbi mure gdhendi kerubë.
8 Ai ndërtoi edhe një dhomë që quhej shenjtërorja e shenjtëroreve. Gjatësia e saj ishte dhjetë metra, sa gjerësia e tempullit. Edhe gjerësia e saj ishte dhjetë metra. E veshi me ar të pastër me vlerë rreth njëzet tonë ar. 9 Pesha e gozhdëve ishte gjashtëqind gramë ar. Edhe dhomat e sipërme i veshi me ar.
10 Në shenjtëroren e shenjtëroreve punoi dy kerubë të gdhendur dhe i veshi me ar. 11 Largësia e krahëve të kerubëve ishte dhjetë metra. Njëri krah ishte dy metra e gjysmë i gjatë dhe prekte murin e tempullit, ndërsa krahu tjetër prekte krahun e kerubit tjetër. 12 Edhe krahu i kerubit tjetër ishte dy metra e gjysmë i gjatë dhe prekte murin e tempullit. Krahu tjetër i tij ishte po dy metra e gjysmë dhe prekte krahun e kerubit të parë. 13 Krahët e hapur të dy kerubëve shtriheshin dhjetë metra. Ata qëndronin më këmbë, me fytyrë të kthyer nga anijata. 14 Pastaj Solomoni bëri velin prej liri të hollë në ngjyrë vjollce, të purpurt dhe të kuqe. Mbi to qëndisi kerubë.
15 Në hyrje të tempullit Solomoni punoi dy shtylla nga shtatëmbëdhjetë metra të larta. Krythat, që ndodheshin mbi to, ishin nga dy metra e gjysmë të larta. 16 Brenda ai punoi disa vargje dhe i vendosi në majë të shtyllave. Punoi edhe njëqind shegë, të cilat i vari nëpër vargje. 17 Dy shtyllat i vuri në ballinën e tempullit. Njërën shtyllë e vuri djathtas dhe e quajti «Jakin», ndërsa shtyllën tjetër e vuri majtas dhe e quajti «Boaz».