1 Kronikave 16

Arka në tendë

E sollën arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tendës që kishte ngulur për të Davidi. Pastaj kushtuan fli shkrumbimi e paqtimi para Perëndisë. Kur Davidi e kreu kushtimin e flisë së shkrumbimit e të paqtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit dhe u shpërndau të gjithë izraelitëve, burra e gra, nga një rrotull buke, nga një kulaç hurmash e nga një kulaç rrushi të thatë.

Pastaj disa nga levitët i caktoi të shërbenin pranë arkës së Zotit, që të përkujtonin, të falënderonin e të lëvdonin Zotin, Perëndinë e Izraelit. Kryetari ishte Asafi e pas tij vinin Zakaria, Jejeli, Shemiramoti, Jehieli, Matitjahu, Eliabi, Benajahu, Obed Edomi e Jejeli, të cilët u binin lirave e harpave, ndërsa Asafi u binte cimbaleve. Priftërinjtë Benajah e Jahaziel u binin borive përherë para arkës së besëlidhjes së Perëndisë. Atë ditë Davidi caktoi së pari që Asafi e vëllezërit e tij t’i thurnin Zotit këto falënderime:

Himni i Davidit

Përlëvdoni Zotin, thirreni emrin e tij,

shpallni mes popujve veprat e tij.

Këndojini atij e thurini lavde,

kumtoni të gjitha mrekullitë e tij.

10 Krenohuni me emrin e tij të shenjtë,

e zemra i ngazëlleftë kujtdo që kërkon Zotin.

11 Kërkojeni Zotin e fuqinë e tij,

kërkoni përherë fytyrën e tij.

12 Kujtoni mrekullitë që bëri,

çuditë e gjykimet e gojës së tij,

13 o pasardhës të Izraelit, shërbëtorit të tij,

bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij.

14 Ai është Zoti, Perëndia ynë,

mbi mbarë dheun vendimet e tij.

15 Kujtojeni përherë besëlidhjen e tij,

fjalën që urdhëroi për një mijë brezni,

16 besëlidhjen që bëri me Abrahamin,

premtimin që i dha Isakut.

17 Ia caktoi si rregull Jakobit,

Izraelit si besëlidhje përjetë,

18 kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit

si pjesë të trashëgimisë suaj»,

19 kur ishit të hequr në numër,

të paktë e ardhacakë,

20 tek endeshin nga një komb te tjetri,

nga një mbretëri te një tjetër popull.

21 Nuk lejoi t’i shtypte askush,

mbretërit për hir të tyre i qortoi:

22 «Mos m’i prekni të vajosurit,

profetët e mi mos i lëndoni».

23 Le t’i këndojë Zotit dheu mbarë,

shpëtimin e tij përditë kumtoni.

24 Ndër kombe rrëfejeni lavdinë e tij,

mrekullitë e tij ndër popuj mbarë,

25 se i madh është Zoti e fort i lavdërueshëm,

më i tmerrshëm se të gjithë perënditë.

26 Se mbarë perënditë e popujve janë të kotë,

por Zoti bëri qiejt.

27 Shkëlqim e madhështi para tij,

në vendin e tij fuqi e hare.

28 Jepini Zotit, o familjet e popujve,

jepini Zotit lavdi e fuqi,

29 jepini Zotit lavdinë e emrit të tij!

Kushtojini fli e dilni para tij,

adhuroni Zotin veshur me shkëlqim.

30 Le të dridhet para tij mbarë toka,

se botës i vë themel

e ajo nuk do të trandet.

31 Le të ngazëllejë qielli e të gëzojë toka,

le të thuhet ndër popuj: «Zoti mbretëron».

32 Le të ushtojë deti me gjithçka në të,

e fusha me gjithçka në të le të galdojë.

33 Atëherë do të brohorasin pemët e pyllit para Zotit

që vjen për ta gjykuar tokën.

34 Përlëvdoni Zotin, se është i mirë,

se mirësia e tij mbetet përjetë.

35 Thoni: «Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë,

mblidhna e çlirona nga kombet,

që ta falënderojmë emrin tënd të shenjtë,

të mburremi duke të të lavdëruar.

36 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit,

nga mot e përgjithmonë!».

Mbarë populli u përgjigj: «Amen» e «Lavdi Zotit».

Adhurimi para arkës

37 Davidi la Asafin e vëllezërit e tij aty, para arkës së besëlidhjes së Zotit, që të shërbenin gjithnjë para arkës, sipas rendit të përditshëm 38 me Obed Edomin dhe gjashtëdhjetë e tetë vëllezërit e tij. Obed Edomin, birin e Jedutunit, e Hosahun, i caktoi derëtarë. 39 Priftin Cadok e vëllezërit e tij priftërinj i la para tendës së Zotit, në rrafshnaltën e Gibeonit, 40 që t’i kushtonin Zotit fli shkrumbimi në altarin e shkrumbimit pa pushim, mëngjes e mbrëmje, siç është shkruar në ligjin që Zoti i dha Izraelit. 41 Me ta ishin Hemani e Jedutuni, si edhe të tjerët, që ishin zgjedhur e caktuar me emër për të falënderuar Zotin, se i amshuar është përdëllimi i tij. 42 Hemani e Jedutuni kishin bori e cimbale për t’u rënë, si dhe vegla për muzikë hyjnore. Bijtë e Jedutunit ishin caktuar te dera.

43 Atëherë mbarë populli u nis, secili në shtëpinë e vet, ndërsa Davidi u kthye për të bekuar familjen e vet.