Jobi 37

«Për këtë më dridhet zemra

e më del nga vendi.

Dëgjojeni, dëgjojeni krismën e zërit të tij,

buçimën që del nga goja e tij.

Nën qiellin mbarë e lëshon

e vetima gjer në skajet e tokës shkon.

Pas saj buçet një zë,

shkreptin me zërin madhështor

e asgjë s’i ndalon rrufetë

pasi iu është dëgjuar zëri.

Shkreptin Perëndia me zërin e tij

e bën mrekulli që ne nuk i njohim.

I thotë borës: “Bjer mbi tokë!”

dhe zbraz shira të rrëmbyeshëm.

Ai e ndal dorën e të gjithë njerëzve,

që të gjithë njerëzit veprën e tij ta njohin.

Egërsirat shkojnë në strofujt e vet

e struken në banën e vet.

Prej jugës vjen stuhia

e acari prej murrlanit.

10 Fryma e Perëndisë përfton akullin

e ngrin syprina e ujërave.

11 Retë i ngarkon me lagështi

e vetimat e tij shpërndajnë.

12 Shtillen gjithandej nën drejtimin e tij,

për të kryer gjithçka u urdhëroi në botën përmbi dhe,

13 se ai i përftoi ose për ndëshkim,

ose për tokën e vet, ose për mirësi.

14 Dëgjo këtu, o Job,

zër vend e mrekullitë e Perëndisë mendo.

15 A e di ti si u jep urdhra Perëndia

e si e nxjerrin retë e tij rrufenë?

16 A e di ti si fluturojnë retë?

A i njeh mrekullitë e dijeplotit

17 ti, që petkat të ngrohin,

kur mbi dhe fashitet juga?

18 Mos vallë me të i shtrive retë

të ngurtë si pasqyrë e shkrirë?

19 Na mëso çfarë t’i themi atij,

se nuk marrim vesh për shkak të errësirës.

20 A mund t’i thuhet se unë dua të flas?

Nëse ai flet, njeriu do të përpihet.

21 Mirëpo nuk e shohin njerëzit dritën

tek shkëlqen mbi re,

derisa era t’i shpërndajë.

22 Nga veriu vjen drita e artë

e madhështia mahnitëse Perëndinë rrethon.

23 Të gjithëpushtetshmin ne nuk mund ta gjejmë,

ai është madhështor në pushtet e drejtësi

dhe nuk e nëpërkëmb drejtësinë e madhe.

24 Prandaj njerëzit i tremben atij,

por ai nuk i përfill

ata që pandehen zemërurtë».