Vegimet
1 «Ja çfarë më dëftoi Zoti, Zoti im: karkalecat po bëheshin gati teksa të mbjellat e vonshme po çelnin e kositja e mbretit kishte ndodhur. 2 E si mbaruan së ngrëni gjelbërimin e vendit, thashë: të përgjërohem, o Zot, Zoti im, fale Jakobin, se s’do t’i bëjë dot ballë. Ai është i vogël.
3 Zotit i erdhi keq e tha: kjo nuk do të ndodhë!
4 Ja çfarë më dëftoi Zoti, Zoti im: zjarrin po thërriste Zoti, Zoti im, që të sillte gjykim. E thau humnerën e madhe dhe tokën e përpiu. 5 Atëherë thashë: të përgjërohem, o Zot, ndale, se Jakobi s’do t’i bëjë dot ballë. Ai është i vogël.
6 Zotit i erdhi keq e tha: as kjo nuk do të ndodhë!
7 Ja çfarë më dëftoi: Zoti po qëndronte mbi një mur të drejtë me plumbç në dorë 8 e më tha: “Amos, çfarë shikon?”. Unë thashë: “Një plumbç”. Ai tha: “Ja po e vendos plumbçin mes për mes popullit tim, Izraelit. Nuk do ta fal më.
9 Do të rrënohen vendet e larta të Isakut,
shenjtëroret e Izraelit do të rroposen.
Shpatën do ta ngre kundër shtëpisë së Jeroboamit”.
10 Atëherë Amacjahu, prifti i Betelit, i dërgoi fjalë Jeroboamit, mbretit të Izraelit: “Amosi po kurdis diçka kundër teje, në mes të shtëpisë së Izraelit. Vendi nuk mund t’i durojë gjithë fjalët e tij. 11 Ja ç’thotë Amosi: ‘Jeroboami do të vdesë prej shpatës. Me të vërtetë, Izraeli do të shpërngulet prej tokës së tij’”.
12 Atëherë Amacjahu i tha Amosit: “Ik, o vegimtar, mbathja drejt tokës së Judës. Rri atje e profetizo! 13 Për Betelin mos profetizo më, se është shenjtërorja e mbretit, pallati mbretëror”.
14 Amosi iu përgjigj Amacjahut: “Unë nuk jam profet e as bir profeti. Jam blegtor e vjelës fiqsh. 15 Zoti më mori prej kopeve e më tha: ‘Shko e profetizoji populli tim, Izraelit’. 16 Prandaj, tani, dëgjoje fjalën e Zotit: ti po thua mos profetizo kundër Izraelit dhe mos e hap gojën kundër shtëpisë së Isakut”. 17 Prandaj kështu thotë Zoti:
“Jot shoqe do të bëhet lavirja e qytetit,
bijtë e bijat e tu prej shpatës do të bien,
me konop do të ndahet toka jote
e ti në dhe të huaj do të vdesësh.
Me të vërtetë, Izraeli do të shpërngulet prej tokës së tij”».