Kuvendari 9

Të tëra këto i mora për zemër, për t’i shqyrtuar të gjitha, se si i drejti, i urti e veprat e tyre janë në dorë të Perëndisë. Njeriu nuk ka njohuri as për dashurinë, as për urrejtjen. Para tij gjendet gjithçka. Për të gjithë ka veçse një fat, për të drejtin e për të paudhin, për të mirin e për të keqin, për të pastrin e për të papastrin, për kë flijon e për kë nuk flijon, për të mbarin e për mëkatarin, për atë që betohet e për atë që i druhet betimit. Kjo është e keqja ndër të gjitha gjërat që ndodhin nën diell: se të gjithë kanë të njëjtin fat. Edhe zemrat e njerëzve janë plot ligësi dhe marrëzinë e mbajnë në zemër sa të jenë gjallë. Pastaj shkojnë me të vdekurit. Por, ai që bashkohet me të gjallët, ka shpresë, se qeni i gjallë është më mirë se luani i ngordhur. Se të gjallët e dinë se do të vdesin, por të vdekurit nuk kanë dijeni për asgjë. Nuk ka shpërblim për ta, se kujtimi i tyre është lënë në harresë. Edhe dashuria, urrejtja e smira e tyre janë shuar tashmë. Nuk do të kenë kurrë më pjesë në asgjë që ndodh nën diell.

Ec, haje me gëzim bukën tënde e pije me zemër të hareshme verën tënde, se Perëndisë i kanë pëlqyer tashmë veprat e tua. Mbaji gjithmonë të bardha petkat e tua e të mos i mungojë vaji erëmirë kokës sate. Shijoje jetën me gruan që dashuron gjatë gjithë ditëve të jetës sate të kotë, që ai të dha nën diell, se kjo është pjesa që ke në jetë dhe në mundin që do të heqësh nën diell. 10 Çfarëdo pune të gjejë dora jote, bëje me tërë fuqinë tënde, se në skëterrën ku po shkon nuk ka as punë, as dituri, as dije, as urti.

11 Përsëri pashë nën diell se garën nuk e fitojnë të shpejtët, as të fuqishmit betejën, as të urtët bukën, as të mençurit pasurinë dhe as të diturit nderimin, sepse koha dhe rastësia u qëllojnë të gjithëve. 12 Njeriu nuk e njeh kohën e vet. Si peshqit që zihen në një rrjetë të mbrapshtë dhe si zogjtë që zihen në kurth, kështu bien në kurth njerëzit në kohën e ligë që i zë në befasi.

13 Nën diell pashë edhe këtë urti që m’u duk e madhe: 14 ishte një qytet i vogël, me pak njerëz në të. Iu sul një mbret i madh e ndërtoi kulla madhështore kundër tij, 15 por në të u gjet një njeri skamnor e i urtë që e çliroi qytetin falë urtisë së tij. E pra, askush nuk e kujton atë njeri skamnor. 16 Atëherë unë thashë: më e mirë është urtia, se fuqia, por urtia e skamnorit përçmohet e nuk i dëgjohen fjalët.

17 Fjalët nën zë të të urtëve dëgjohen më mirë se britma e prijësit të të marrëve. 18 Urtia është më e mirë se armët e luftës, por një mëkatar mund të rrënojë një begati të madhe.