Shenjtëria e ushqimeve
1 Zoti i tha Moisiut: 2 «Thuaji Aronit e bijve të tij të bëjnë kujdes me gjërat e shenjta, që izraelitët m’i shenjtërojnë mua, që të mos e përdhosin emrin tim të shenjtë. Unë jam Zoti. 3 Thuaju: kushdo prej pasardhësve tuaj, brez pas brezi, që u afrohet në gjendje të papastër të shenjtave, që izraelitët m’i shenjtërojnë mua, të zhbihet prej pranisë sime. Unë jam Zoti. 4 Asnjë pasardhës i Aronit, i prekur nga lebra apo që ka rrjedhje, të mos hajë prej të shenjtave, derisa të pastrohet. Nëse dikush prek ndonjë gjë të ndotur prej ndonjë kufome apo derdh farën, 5 nëse prek ndonjë zvarranik që e bën të papastër apo ndonjë njeri që e ndot me të gjitha papastërtitë që ka, 6 atëherë ai që i ka prekur këto, është i papastër deri në mbrëmje. Të mos hajë prej të shenjtave derisa të jetë larë me ujë. 7 Kur të perëndojë dielli, do të jetë i pastër dhe atëherë mund të hajë prej të shenjtave, sepse janë ushqime që i takojnë. 8 Të mos hajë mish kafshe të ngordhur apo të shqyer, që të mos bëhet i papastër. Unë jam Zoti. 9 Ta zbatojnë, pra, urdhrin tim, që të mos ngarkohen me mëkate për shkak të tij e të vdesin ngaqë e përdhosin. Unë jam Zoti që i shenjtëroj.
10 Askush tjetër të mos hajë prej të shenjtave. As miku i priftit e as mëditësi të mos hanë prej të shenjtave. 11 Prej tyre mund të hajë ai që prifti e ka blerë me para, si edhe kushdo që ka lindur në shtëpinë e priftit. Ata mund të hanë prej ushqimit të tij. 12 Bija e priftit, që martohet me burrë nga një familje jo priftërore, nuk mund të hajë prej dhuratave të shenjta, 13 por nëse bija e priftit mbetet vejushë apo e ka lënë burri pa fëmijë dhe kthehet në shtëpinë e të atit, atëherë mund të hajë prej ushqimeve të të atit. Askush tjetër të mos hajë prej të shenjtave.
14 Kush ha gabimisht prej të shenjtave, t’ia kthejë priftit sasinë e të shenjtave, duke shtuar edhe një të pestën. 15 Priftërinjtë të mos i përdhosin të shenjtat, që izraelitët i kushtojnë Zotit, 16 e të mos ngarkohen me faj, që kërkon fli, duke ngrënë prej tyre. Unë jam Zoti që i shenjtëron».
Kafshët për flijim
17 Zoti i tha Moisiut: 18 «Fol me Aronin, me bijtë e tij dhe me të gjithë izraelitët e thuaju: nëse një izraelit apo i huaj që banon në Izrael, dëshiron të kushtojë si fli kushti apo si fli vullnetare një fli shkrumbimi për Zotin, 19 që të pranohet, duhet të kushtojë një mashkull të patëmetë prej demave, deshve apo cjepve. 20 Mos kushtoni asgjë me të meta, sepse nuk do të pranohet. 21 Nëse dikush dëshiron t’i kushtojë Zotit fli paqtimi, si fli vullnetare apo për të përmbushur një kusht, të marrë nga kopeja apo nga tufa një fli të patëmetë, që të pranohet. Flija të mos ketë asnjë të metë. 22 Mos i kushtoni Zotit asnjë bagëti të verbër, të çalë, të gjymtuar, me lyth, me plagë lëkure apo me zgjebe. Mos kushtoni asnjë prej tyre mbi altar si fli zjarri për Zotin. 23 Si fli vullnetare mund të kushtosh një ka ose një dele që ka një gjymtyrë më të gjatë ose më të shkurtër, por si fli kushti nuk do të pranohet. 24 Mos i kushtoni Zotit asnjë kafshë me herdhe të vrara, të shtypura, të çara apo të hequra. Mos e bëni këtë në vendin tuaj. 25 Mos pranoni prej të huajve asnjë kafshë të tillë për t’ia kushtuar si ushqim Perëndisë tuaj, sepse në to ka gjymtime e të meta. Nuk do t’ju pranohen».
26 Zoti i tha Moisiut: 27 «Kur lind një viç, një qengj apo një kec, lëreni shtatë ditë me të ëmën. Nga dita e tetë e tutje mund të pranohet për kushtim si fli zjarri për Zotin. 28 As lopa, as delja të mos theren në të njëjtën ditë me pjellën e vet. 29 Kur t’i kushtoni Zotit fli falënderimi, kushtojeni në mënyrë të atillë që t’ju pranohet. 30 Hajeni atë ditë dhe mos lini asgjë për të nesërmen. Unë jam Zoti.
31 Mbajini urdhërimet e mia e zbatojini. Unë jam Zoti. 32 Mos e përdhosni emrin tim të shenjtë, që të jem i shenjtë mes izraelitëve. Unë jam Zoti që ju shenjtëroj 33 e që ju nxora nga vendi e Egjiptit për të qenë Perëndia juaj. Unë jam Zoti».