Ligji i Përtërirë 5

Dhjetë urdhërimet

Moisiu e thirri gjithë Izraelin e u tha: «Dëgjo, o Izrael, rregullat e vendimet që unë po ju shpall sot. Mësojini e zbatojini ato me kujdes. Zoti, Perëndia ynë, lidhi një besëlidhje me ne në Horeb. Këtë besëlidhje Zoti nuk e lidhi me etërit tanë, por me ne, me ne që jemi këtu, me të gjithë ne që jemi gjallë. Në mal, Zoti ju foli ballë për ballë nga mesi i zjarrit. Asokohe unë qëndroja mes jush dhe Zotit për t’ju shpallur fjalën e tij, sepse ju kishit frikë nga zjarri e nuk u ngjitët në mal. Ai tha:

“Unë Zoti, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë.

Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje.

Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme. Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë Zoti, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezin e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. 10 Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e zbatojnë ligjin tim.

11 Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij.

12 Mbaje ditën e shtunë e shenjtëroje, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt. 13 Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, 14 por dita e shtatë është e shtuna e Zotit, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as demi yt, as gomari yt, asnjë nga kafshët e tua dhe as i huaji që rri me ty, që edhe shërbëtori e shërbëtorja jote të pushojnë si ti. 15 Mos harro se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit dhe se Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me dorë të fuqishme e me krah të fortë, prandaj dhe të urdhëroi ta mbash ditën e shtunë.

16 Ndero atin tënd e nënën tënde, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt, që të kesh jetë të gjatë e të të shkojë mbarë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt.

17 Mos vrit.

18 Mos bëj tradhti bashkëshortore.

19 Mos vidh.

20 Mos bëj dëshmi të kotë kundër të afërtit tënd.

21 Mos lakmo gruan e tjetrit. Mos lakmo shtëpinë e tij, as arën e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë të tij”.

Roli i Moisiut

22 Këto fjalë, Zoti ia tha me zë të lartë tërë bashkësisë suaj në mal, nga mesi i zjarrit, resë e territ. Gjë tjetër nuk shtoi. I shkroi në dy rrasa guri e m’i dha mua. 23 Kur ju e dëgjuat zërin nga mesi i territ dhe patë malin që digjej, m’u afruat ju, tërë krerët e fiseve dhe pleqtë, 24 e më thatë: “Ja, Zoti, Perëndia ynë, na dëftoi lavdinë e madhështinë e tij dhe ne ia dëgjuam zërin nga mesi i zjarrit. Sot pamë sesi Perëndia folka me njeriun e ky mbetka gjallë! 25 Por, pse të vdesim nga ky zjarr i madh që do të na përpijë? Nëse e dëgjojmë sërish zërin e Zotit, Perëndisë tonë, do të vdesim, 26 se kush tjetër e dëgjoi Perëndinë e gjallë të flasë nga mesi i zjarrit, siç e dëgjuam ne, e mbeti gjallë? 27 Shko ti e dëgjo gjithçka që thotë Zoti, Perëndia ynë. Pastaj na trego gjithçka që tha Zoti, Perëndia ynë, e ne do të të dëgjojmë”.

28 Zoti i dëgjoi fjalët që më thatë e më tha: “I dëgjova fjalët që të tha ky popull. E kanë mirë gjithçka thanë. 29 Ah, sikur të kishin përherë një mendje të tillë, që të më druanin e të mbanin urdhërimet e mia. Kështu do t’u shkonte mbarë atyre e bijve të tyre përgjithmonë. 30 Shko e thuaju: kthehuni në tendat tuaja, 31 ndërsa ti qëndro këtu me mua. Do të t’i them të gjitha urdhërimet, rregullat e vendimet, që t’ua mësosh t’i zbatojnë në tokën që po u jap për pronë”. 32 Prandaj kini kujdes e veproni siç ju urdhëroi Zoti, Perëndia juaj. Mos u shmangni as djathtas, as majtas. 33 Ecni udhës që ju urdhëroi Zoti, Perëndia juaj, që të jetoni, t’ju shkojë mbarë e të jeni me jetë të gjatë në tokën që do të pushtoni».