Vajosja e Davidit
1 Të gjithë izraelitët u mblodhën te Davidi në Hebron e i thanë: «Ja, ne jemi kocka jote e mishi yt. 2 Edhe në të shkuarën, kur Sauli ishte mbret, ti i prije Izraelit. Zoti, Perëndia yt, të tha: “Ti do ta kullotësh popullin tim, Izraelin, e ti do të jesh udhëheqësi i popullit tim, Izraelit”». 3 Atëherë të gjithë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe Davidi bëri besëlidhje me ta në Hebron, para Zotit. Ata e vajosën Davidin mbret mbi Izraelin, siç kishte thënë Zoti, me anë të Samuelit.
4 Davidi shkoi me mbarë Izraelin në Jerusalem, domethënë në Jebus, sepse në atë tokë banonin jebusitët. 5 Banorët e Jebusit i thanë Davidit: «Ti nuk do të hysh këtu», por Davidi e pushtoi fortesën e Sionit, domethënë qytetin e Davidit. 6 Davidi kishte thënë: «Kush i godet i pari jebusitët, do të bëhet kryetar e prijës». Atëherë Joabi, biri i Cerujahut, ishte ngjitur i pari e ishte bërë kryetar. 7 Davidi u vendos në këtë fortesë, prandaj e quajnë Qyteti i Davidit. 8 Ai e rindërtoi qytetin nga Miloja përreth, ndërsa Joabi ndërtoi pjesën tjetër të qytetit. 9 Davidi bëhej gjithnjë e më i fuqishëm dhe Zoti i ushtrive ishte me të.
Trimat e Davidit
10 Këta janë krerët e trimave të Davidit, që u forcuan bashkë me të, me mbretërinë e tij e me mbarë Izraelin dhe që e bënë mbret mbi Izraelin, sipas urdhrit të Zotit. 11 Emrat e trimave të Davidit janë këta: Jashobeami, biri i Hakmoniut, kryetar i tridhjetë vetëve. Ai e vringëlloi heshtën kundër treqind vetëve e i vrau njëherësh.
12 Pas tij vjen Eleazari, biri i Dodo Ahohitit, njëri ndër tre trimat. 13 Ai ishte me Davidin në Pas Damim, kur filistinët u mblodhën aty për betejë. Aty gjendej një arë plot me elb, ku njerëzia mori arratinë prej filistinëve. 14 Atëherë zuri vend në mes të arës dhe e mbrojti. I goditi filistinët dhe Zoti i shpëtoi në mënyrë të madhërishme.
15 Tre prej tridhjetë kryetarëve zbritën te shkëmbi, pranë Davidit, te shpella e Adulamit. Fushimi i filistinëve ishte vendosur në luginën e Refaitëve. 16 Në atë kohë Davidi gjendej në fortesë, ndërsa çeta e filistinëve ishte në Betlehem. 17 Davidi shprehu një dëshirë: «Kush mund të më japë të pi nga pusi që është te porta e Betlehemit?». 18 Këta të tre çanë fushimin e filistinëve dhe nxorën ujë nga pusi që ishte te porta e Betlehemit. E morën dhe ia sollën Davidit për ta pirë, por ai nuk deshi ta pinte dhe e stërpiku për Zotin. 19 Pastaj tha: «Larg qoftë ta bëj këtë gjë para Perëndisë! A duhet ta pi gjakun e jetës së këtyre burrave? Ata vunë në rrezik jetën për ta sjellë». Prandaj nuk pranoi ta pinte. Kështu vepruan ata tre trima.
20 Abishai, vëllai i Joabit, ishte kryetari i tridhjetë vetëve. Ai e vringëlloi heshtën kundër treqind vetëve, i vrau e bëri emër bashkë me këta të tre. 21 Ai ishte më i njohuri ndër të tre dhe u bë prijësi i tyre, megjithatë nuk i arriti dot.
22 Benajahu, biri i Jehojadait, burrë i guximshëm e punëmadh, ishte nga Kabceli. Ai vrau dy njerëz të Ariel Moabit. Pastaj, një ditë me borë, zbriti në një pus e vrau një luan. 23 Ai vrau edhe një egjiptian, një burrë shtatmadh, pesë kutesh, i cili mbante në dorë një heshtë sa një bosht tezgjahu. Iu sul me një shkop, ia hoqi heshtën nga dora dhe e vrau me heshtën e vet. 24 Këto gjëra bëri Benajahu, biri i Jehojadait, dhe bëri emër ndër këta të tre. 25 U bë i lavdishëm bashkë me ata të tre, megjithatë nuk i arriti dot. Davidi e vuri në krye të truprojës së vet.
26 Trimat guximtarë ishin Asaheli, vëllai i Joabit, Elhanani, biri i Dodoit, nga Betlehemi, 27 Shamot Haroriti, Halec Peloniti, 28 Irai, biri i Ikesh Tekoitit, Abiezer Anatotiti, 29 Sibeka Hushatiti, Ila Ahohiti, 30 Mahara Netofatiti, Heledi, biri i Banah Netofatitit, 31 Itai, biri i Ribait nga Gibeahu, prej bijve të Benjaminit, Benajah Piratoniti, 32 Hurai nga Vau i Gashit, Abiel Arbatiti, 33 Azmavet Baharumiti, Eliakba Shalboniti, 34 bijtë e Hashem Gizonitit, Jonatani, biri i Shageh Hararitit, 35 Ahiami, biri i Sahar Hararitit, Elifali, biri i Urit, 36 Hefer Meheratiti, Ahijah Peloniti, 37 Hecro Karmeliti, Narai, biri i Ezbait, 38 Joeli, vëllai i Natanit, Mibhari, biri i Hagriut, 39 Celek Amoniti, Nahra Berotiti, armëmbajtësi i Joabit, të birit të Cerujahut, 40 Ira Hitriti, Gareb Hitriti, 41 Urjah Hititi, Zabadi, biri i Ahlait, 42 Adinai, biri i Shiza Rubenitit, kryetar i tridhjetë rubenitëve, 43 Hanani, biri i Makahut, Joshafat Mitniti, 44 Uzia Ashteratiti, Shamai e Jejeli, të bijtë e Hotam Aroeritit, 45 Jediaeli, biri i Shimriut, dhe Joha Ticiti, vëllai i tij, 46 Eliel Mahaviti me Jeribain e Joshaviahun, të bijtë e Elnamit, Itmah Moabiti, 47 Elieli, Obedi e Jasiel Mecobaiti.