Predikimi i Gjon Pagëzorit
(Mk 1.1-8; Lk 3.1-9, 15-17; Gjn 1.19-28)
1 Ato ditë erdhi Gjon Pagëzori që predikonte në shkretëtirën e Judesë. 2 Ai thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». 3 Ky është ai për të cilin është folur nga profeti Isai që ka thënë:
një zë thërret në shkretëtirë:
bëni gati udhën për Zotin,
drejtoni shtigjet e tij.
4 Gjoni ishte veshur me një rrobë prej leshi deveje dhe mbante një brez lëkure rreth ijëve. Ai ushqehej me karkaleca e mjaltë të egër.
5 Atëherë njerëz nga Jerusalemi, nga gjithë Judeja e nga mbarë krahina e Jordanit shkonin tek ai 6 dhe, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre, pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan. 7 Kur Gjoni pa se shumë farisenj e saducenj vinin për t’u pagëzuar tek ai, u tha: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? 8 Jepni fryte të denja pendimi 9 dhe mos mendoni se do t’i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t’i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. 10 Sëpata gjendet tashmë te rrënjët e pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryte të mira do të pritet e do të hidhet në zjarr.
11 Unë po ju pagëzoj me ujë, që të pendoheni, por pas meje vjen një që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t’i zgjidh sandalet. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. 12 Ai e mban në dorë terploten dhe do të ndajë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunar, ndërsa kashtën do ta djegë në një zjarr që nuk shuhet kurrë».
Pagëzimi i Jezuit
(Mk 1.9-11; Lk 3.21-22)
13 Atëherë Jezui erdhi nga Galilea në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. 14 Por Gjoni e kundërshtoi e i tha: «Jam unë ai që duhet të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë?». 15 Jezui iu përgjigj: «Lëre për tani, se kështu duhet, që të përmbushim tërë drejtësinë». Dhe Gjoni pranoi. 16 Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji. Dhe ja, iu hapën qiejt dhe ai pa Shpirtin e Perëndisë duke zbritur në trajtë pëllumbi e duke ardhur tek ai. 17 Atëherë u dëgjua një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur».