Kthimi i arkës
1 Arka e Zotit ndodhej në krahinën e filistinëve prej shtatë muajsh. 2 Filistinët thirrën priftërinjtë e shortarët e u thanë: «Çfarë të bëjmë me arkën e Zotit? Na tregoni si ta dërgojmë në vendin e vet?». 3 Ata u përgjigjën: «Nëse e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e dërgoni duarzbrazur, por me fli faji. Atëherë do të shëroheni e do ta dini përse dora e tij po ju shtypte». 4 Ata thanë: «Çfarë t’i çojmë si fli faji?». Ata u përgjigjën: «Pesë lytha të artë e pesë minj të artë për çdo prijës filistin, se me këto u goditët ju të gjithë e prijësit tuaj. 5 Bëni shëmbëlltyra lythash e minjsh që shkretuan tokën. Kështu do t’i jepni lavdi Perëndisë së Izraelit e ndoshta ai do ta lehtësojë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë e tokat tuaja. 6 Përse i ngurtësoni zemrat më kot, siç i ngurtësoi Egjipti e faraoni? A nuk i lanë ata izraelitët të shkojnë, pasi Zoti u soll ashpër me ta? 7 Prandaj bëni një qerre të re, merrni dy lopë qumështore që nuk janë vënë kurrë në zgjedhë e mbrehini në qerre, ndërsa viçat e tyre mbajini në stallë. 8 Merreni pastaj arkën e Zotit dhe vendoseni mbi qerre bashkë me sendet e arta që do t’i sillni si fli faji. Ato vendosini në një kuti përbri. Niseni qerren për udhë. 9 Nëse vini re se ngjitet udhës për Bet Shemesh, atëherë paska qenë Perëndia ai që na ka goditur me këtë fatkeqësi të madhe. Nëse jo, dijeni se nuk ishte dora e tij, por ishte rastësi». 10 Kështu vepruan. Morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre, ndërsa viçat e tyre i mbajtën në stallë. 11 E vendosën arkën e Zotit në qerre bashkë me kutinë, me minjtë e artë e me shëmbëlltyrat e lythave të tyre. 12 Lopët filluan të ecnin drejt udhës për në Bet Shemesh. Ecnin drejt duke pëllitur e nuk shmangeshin as majtas, as djathtas, dhe prijësit e filistinëve i ndiqnin pas derisa mbërritën në kufi të Bet Shemeshit.
13 Ndërkohë në Bet Shemesh korrësit po korrnin grurin nëpër luginë. Kur ngritën sytë e panë arkën, u gëzuan. 14 Qerrja mbërriti e qëndroi tek ara e Jozuehut. Aty ndodhej një gur i madh. Atëherë i thyen drutë e qerres e ia kushtuan lopët Zotit si fli shkrumbimi. 15 Levitët e ulën arkën e Zotit bashkë me kutinë që mbante orenditë e arta e i vunë mbi gurin e madh. Atë ditë populli i Bet Shemeshit i kushtoi Zotit fli shkrumbimi e flijime. 16 Pesë prijësit e filistinëve e panë dhe u kthyen po atë ditë në Ekron.
17 Këto janë lythat e artë që çuan filistinët si fli faji për Zotin: një për Ashdodin, një për Gazën, një për Ashkelonin, një për Gatin e një për Ekronin. 18 Edhe pesë minjtë e artë ishin sipas numrit të qyteteve filistine që u përkisnin pesë prijësve, duke përfshirë qytetet e fortifikuara dhe fshatrat e parrethuara. Guri i madh mbi të cilin u vendos arka e Zotit gjendet edhe sot e kësaj dite në fushën e Jozuehut, në Bet Shemesh.
19 Perëndia goditi disa banorë të Bet Shemeshite, sepse vështruan arkën e Zotit. Ai goditi shtatëdhjetë vetë prej pesëdhjetë mijë banorëve dhe populli vajtoi, se Zoti i kishte goditur rëndë. 20 Atëherë banorët e Bet Shemeshit thanë: «Kush mund të qëndrojë para Zotit, këtij Perëndie të shenjtë? E kujt do t’ia çojmë?». 21 Ata u çuan fjalë banorëve të Kirjat Jearimit e u thanë: «Filistinët na e kthyen arkën e Zotit. Ejani e merreni!».
e6.19 të tjerë: bijtë e Jekonisë, të vetmit ndër njerëzit e Bet Shemeshit, nuk u gëzuan