Psalmet 97

Zoti mbretëron, le të gëzojë toka!

Le të ngazëllejnë ujdhesat e shumta!

Reja e terri e mbështjellin,

drejtësia dhe e drejta themeli i fronit të tij.

Zjarr para tij,

armiqtë rreth e qark i djeg.

Vetëtimat e tij ndriçojnë botën;

e sheh toka e trandet!

Si dylli shkrihen malet para Zotit,

para Zotit të mbarë tokës.

Qiejt shpallin drejtësinë e tij,

të gjithë popujt kundrojnë lavdinë e tij.

U turpërofshin të gjithë ata që shtatoret adhurojnë,

ata që me idhujt mburren!

Adhurojeni Zotin gjithë ju perënditë!

E dëgjoi Sioni e u gëzua,

bijat e Judës u ngazëlluan,

për gjykimet e tua, o Zot.

Se ti, o Zot, je i Tejlarti mbi tërë tokën,

ti u lartësove shumë më tepër se gjithë perënditë.

10 O ju, që e doni Zotin, urrejeni të keqen!

Ai i ruan shpirtrat e besnikëve të tij

e prej dorës së të paudhëve i çliron.

11 Drita lindi për të drejtin

e gëzimi për zemërdrejtët.

12 Ngazëlleni, o të drejtë, në Zotin,

kujtoni e lavdëroni shenjtërinë e tij!