Davidi dhe Jonatani
1 Sapo mbaroi së foluri me Saulin, Jonatani u lidh me gjithë shpirt me Davidin. Ai e deshi Davidin si veten. 2 Sauli e mori atë ditë Davidin e nuk e la të kthehej te shtëpia e të atit. 3 Jonatani e Davidi lidhën besën, sepse ai e donte si veten. 4 Jonatani e hoqi petkun e ia dha Davidit. I dha edhe tunikën, shpatën, harkun e brezin e vet. 5 Davidit i printe e mbara kudo që e dërgonte Sauli, prandaj ky e vuri në krye të ushtarëve. Populli e shërbëtorët e Saulit e patën për zemër Davidin.
6 Pasi Davidi vrau filistinin, trupat u kthyen dhe gratë nga të gjitha qytetet e Izraelit dolën me këngë e valle për të takuar mbretin Saul, duke u rënë dajreve e qesteve plot hare. 7 Dhe kënduan:
«Sauli vrau me mijëra,
Davidi me dhjetëra mijëra!».
8 Sauli u zemërua shumë e nuk i pëlqeu kjo, sepse mendoi: «Davidit i numëruan dhjetëra mijëra, ndërsa mua vetëm mijëra. U mbetet vetëm ta bëjnë mbret!». 9 Që prej asaj dite Sauli e shihte me sy të keq Davidin.
10 Të nesërmen shpirti i lig i dërguar prej Perëndisë e pushtoi Saulin e ai u përçart në shtëpi. Davidi po i binte lirës siç bënte përditë, ndërsa Sauli mbante një heshtë në dorë. 11 Sauli e qëlloi me heshtë, se mendoi ta mbërthente Davidin pas murit, por Davidi iu shmang dy herë.
12 Sauli e druante Davidin, se Zoti ishte larguar prej tij dhe ishte me Davidin. 13 Sauli e largoi prej vetes dhe e bëri kryemijës. Ai i printe popullit 14 e i shkonte mbarë në çdo gjë, sepse Zoti ishte me të. 15 Sauli e vuri re se Davidit i shkonte shumë mbarë, prandaj filloi ta kishte frikë. 16 Tërë Izraeli e Juda e donte Davidin, se ai i udhëhiqte.
Martesa e Davidit
17 Sauli i tha Davidit: «Do të të jap për grua Merabën, vajzën time të madhe. Ti vetëm më shërbe si luftëtar e lufto betejat e Zotit». Sauli thoshte: «Të mos vdesë prej dorës sime, por prej dorës së filistinëve». 18 Davidi iu përgjigj: «Kush jam unë apo shtëpia e atit tim në Izrael, që të bëhem dhëndri i mbretit?». 19 Por, kur erdhi koha për t’u martuar me Davidin, Merabën, bijën e Saulit, ia dhanë Adriel Meholatitit.
20 Mikala, bija e Saulit, e donte Davidin dhe, kur i treguan Saulit, atij i pëlqeu kjo, 21 se thoshte: «Do t’ia jap për grua, që të bjerë në kurth e të vritet nga dora e filistinëve». Kështu, për të dytën herë Sauli i kërkoi Davidit të bëhej dhëndri i tij. 22 Sauli i urdhëroi shërbëtorët e vet e u tha: «Flisni me Davidin e thuajini në fshehtësi: “I ke pëlqyer mbretit dhe shërbëtorët të duan, pse nuk bëhesh dhëndri i mbretit?”». 23 Shërbëtorët e Saulit folën me Davidin, por ai u tha: «Përse, punë e lehtë ju duket të jesh dhëndri i mbretit? Unë jam i varfër e i parëndësishëm». 24 Kur shërbëtorët i treguan Saulit çfarë kishte thënë Davidi 25 ai u tha: «Kështu thuajini Davidit: “Mbreti nuk do pajë, por lafshën e njëqind filistinëve të vdekur, që të hakmerret kundër armiqve të tij”». Sauli mendonte si e si të vritej Davidi prej dorës së filistinëve. 26 Shërbëtorët e Saulit folën me Davidin dhe atij iu mbush mendja të bëhej dhëndri i mbretit. Para se të plotësoheshin ditët, 27 Davidi bashkë me njerëzit e vet shkoi e vrau dyqind filistinë e ia dërgoi mbretit të tëra lafshat që të bëhej dhëndri i tij. Kështu, Sauli i dha për grua bijën e vet, Mikalën. 28 Sauli e pa se Zoti ishte me Davidin dhe se Mikala, bija e tij, e donte Davidin. 29 Sauli e pati frikë Davidin edhe më shumë e u bë armik i tij përjetë.
30 Sa herë që prijësit e filistinëve dilnin për luftë, Davidit i shkonte mbarë më shumë se tërë shërbëtorëve të Saulit, prandaj dhe bëri emër të madh.