1 Samuelit 31

Vdekja e Saulit

Filistinët e sulmuan Izraelin. Izraelitët ikën prej filistinëve, por mbetën të vrarë në malin Gilboa. Filistinët e ndoqën këmba-këmbës Saulin me të bijtë dhe vranë Jonatanin, Abinadabin e Malkishuain, bijtë e Saulit. Beteja kundër Saulit u bë e ashpër. Harkëtarët e vunë në shënjestër e ai u plagos nga harkëtarët. Atëherë Sauli i tha armëmbajtësit të vet: «Nxirre shpatën e më shporo, që të mos vijnë këta të parrethprerë, të më shpojnë e të tallen me mua». Por armëmbajtësi nuk pranoi, se pati shumë frikë, prandaj Sauli e mori vetë shpatën e u hodh mbi të. Kur armëmbajtësi pa se Sauli kishte vdekur, u hodh edhe ai mbi shpatë e vdiq. Atë ditë vdiqën Sauli, tre bijtë e tij, armëmbajtësi dhe tërë njerëzit e tij. Izraelitët, që ishin në anën tjetër të luginës e ata që ishin përtej Jordanit, panë se luftëtarët kishin ikur dhe se Sauli me bijtë e vet kishin vdekur, i braktisën qytetet e morën arratinë. Atëherë filistinët erdhën e u vendosën aty.

Të nesërmen, kur filistinët erdhën të zhvatnin kufomat e të vrarëve, gjetën Saulin e tre bijtë e tij, që kishin rënë në malin Gilboa. Ia prenë kokën, ia hoqën armët dhe i dërguan në tokën e filistinëve, për t’u dhënë lajmin tempujve të idhujve dhe popullit përreth. 10 Armët i vunë në tempullin e Ashtarotës, ndërsa kufomën ia varën në muret e Bet Sheanit. 11 Banorët e Jabesh Gileadit dëgjuan ç’i kishin bërë filistinët Saulit. 12 Të gjithë luftëtarët u ngritën e udhëtuan tërë natën. Morën kufomën e Saulit e kufomat e bijve të tij prej mureve të Bet Sheanit e i sollën në Jabesh. Aty i dogjën. 13 Pastaj ua morën eshtrat, ua varrosën nën qarrin e Jabeshit e agjëruan shtatë ditë.