Gjyqtarët 14

Martesa e Samsonit

Samsoni shkoi në Timnah dhe atje pa një grua filistine. Kur u kthye i tha të atit e të ëmës: «Kam parë një grua filistine në Timnah. Ma merrni për grua». I ati dhe e ëma i thanë: «Nuk paska gra mes bijave të vëllezërve të tu dhe të popullit tonë, që të shkosh e të marrësh grua nga filistinët e parrethprerë?». Por Samsoni iu përgjigj: «Atë më merrni, se më pëlqen». I ati dhe e ëma nuk e dinin se kjo vinte nga Zoti, që kërkonte një rast kundër filistinëve. Në atë kohë filistinët sundonin mbi Izraelin.

Samsoni shkoi në Timnah bashkë me të atin dhe të ëmën. Kur mbërritën te vreshtat e Timnahut, një këlysh luani iu vërsul Samsonit duke ulërirë. Atëherë shpirti i Zotit e mbuloi Samsonin dhe ai e shqeu luanin më dysh si të ishte kec, pa pasur gjë në dorë. Nuk i tregoi as të atit e as të ëmës çfarë bëri. Pastaj shkoi në Timnah dhe foli me atë grua. Ajo i pëlqeu shumë. Pas disa ditësh u kthye për ta marrë dhe doli nga rruga për të parë kufomën e luanit. Brenda kufomës kishte një luzmë bletësh dhe mjaltë. Mori ca mjaltë në dorë dhe po e hante rrugës. Kur mbërriti tek i ati dhe e ëma, u dha edhe atyre të hanin, por nuk u tregoi se mjaltin e kishte marrë nga kufoma e luanit.

10 I ati i Samsonit shkoi te gruaja dhe aty Samsoni shtroi një gosti, siç e kishin zakon të rinjtë. 11 Kur e panë banorët e qytetit, i caktuan tridhjetë shokë, që të rrinin me të. 12 Samsoni u tha: «Do t’ju tregoj një gjëegjëzë. Po ta gjeni gjatë shtatë ditëve të festës, do t’ju jap tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba, 13 por, po të mos e gjeni, do të më jepni ju tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba». Ata i thanë: «Tregoje gjëegjëzën, që ta dëgjojmë». 14 Samsoni u tha:

«Prej gllabëruesit doli ushqim,

prej të fortit ëmbëlsirë».

Për tri ditë nuk ia dolën ta gjenin gjëegjëzën.

15 Ditën e shtatë i thanë gruas së Samsonit: «Mbushja mendjen tët shoqi të na e tregojë gjëegjëzën, në mos do të të djegim ty dhe shtëpinë e tët eti. Për çfarë na ftuat, që të na lini lakuriq?». 16 Atëherë gruaja e Samsonit qau para tij e i tha: «Ti më urren e nuk më do. U the një gjëegjëzë bijve të popullit tim, por mua nuk ma tregove përgjigjen». Samsoni i tha: «Nuk ia kam treguar as atit tim, as nënës sime. Mos vallë do të ta tregoj ty?». 17 Ajo qau para tij gjatë shtatë ditëve të festës dhe ditën e shtatë Samsoni ia tregoi përgjigjen e gjëegjëzës, ngaqë ajo e mërziti shumë. Ajo ua tregoi përgjigjen bijve të popullit të saj. 18 Ditën e shtatë, para perëndimit të diellit, ata i thanë:

«Ç’është më i ëmbël se mjalti?

Ç’është më i fortë se luani?».

Atëherë Samsoni u tha:

«Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time,

gjëegjëzën s’kishit për ta gjetur».

19 Shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin e ai zbriti në Ashkelon. Atje vrau tridhjetë nga burrat e qytetit dhe rrobatç e tyre ua dha atyre që kishin gjetur gjëegjëzën. Pastaj, i ndezur nga zemërimi, u kthye në shtëpinë e të atit.

20 Gruan e Samsonit ia dhanë shoqëruesit të tij, shokut të tij të ngushtë.


 ç14.19 ose: armët