Davidi në Moab
1 Davidi iku që andej dhe ia mbathi për te shpella e Adulamit. Kur e morën vesh, vëllezërit dhe tërë shtëpia e të atit shkuan tek ai. 2 Me të u bashkuan të gjithë ata që ishin ngushtë, që kishin marrë hua e që ishin të pakënaqur. Davidi u bë prijësi i tyre. Ishin rreth katërqind vetë.
3 Davidi u nis që andej, shkoi në Micpah të Moabit e i tha mbretit të Moabit: «Të lutem, lejoji tim atë e time më të rrinë me ju derisa të marr vesh se çfarë do të bëjë Perëndia me mua». 4 I solli te mbreti i Moabit e ata banuan me të gjatë gjithë kohës që Davidi u strehua në fortesë. 5 Profeti Gad i tha Davidit: «Mos rri më në fortesë, por shko në tokën e Judës». Davidi shkoi e mbërriti në pyllin e Haretit.
Vrasja e priftërinjve
6 Kur e mori vesh se Davidin e kishin parë bashkë me njerëzit e tij, Sauli ndodhej në Gibeah. Ishte ulur nën një mare, në një kodrinë. Mbante një heshtë në dorë e ishte rrethuar me shërbëtorë. 7 Ai u tha shërbëtorëve që e rrethonin: «Dëgjoni, o benjaminas! A do t’ju japë biri i Jeseut ara e vreshta secilit prej jush? A do t’ju bëjë të gjithëve kryemijës apo kryeqindës? 8 Përse, pra, shestoni kundër meje? Si nuk doli askush të më njoftonte për besën që lidhi im bir me birin e Jeseut? Si nuk i erdhi keq për mua asnjërit prej jush që të më njoftonte se im bir po i ndërsen shërbëtorët e mi të më fusin në kurth, siç po ndodh sot?». 9 Atëherë Doeg Edomiti, që ishte mes shërbëtorëve të Saulit, tha: «E kam parë të birin e Jeseut kur erdhi në Nob tek Ahimeleku, biri i Ahitubit. 10 Ahimeleku e pyeti Zotin për të e i dha ushqime dhe shpatën e Goliat Filistinit».
11 Atëherë mbreti dërgoi njerëz që të sillnin prej Nobit priftin Ahimelek, birin e Ahitubit, dhe tërë familjen e tij priftërore. Të gjithë erdhën te mbreti. 12 Sauli i tha: «Dëgjo, o i biri i Ahitubit!». Ai u përgjigj: «Urdhëro, imzot!». 13 Sauli i tha: «Përse sheston kundër meje bashkë me të birin e Jeseut? I dhe bukë e shpatë e u këshillove me Perëndinë për të, që të ngrihej kundër meje e të më zinte në kurth, siç po ndodh sot».
14 Ahimeleku iu përgjigj mbretit e i tha: «Cili nga tërë shërbëtorët e mbretit është besnik si Davidi? Ai është dhëndri i mbretit, prijësi i rojës sate dhe njeri i nderuar në familjen tënde! 15 Pse, a sot fillova ta pyes Perëndinë për të? Kurrsesi! Mos t’i shkojë në mendje mbretit asgjë e keqe për shërbëtorin e vet apo për tërë shtëpinë e atit tim, se shërbëtori yt nuk ka ditur as gjënë më të vogël!». 16 Por mbreti i tha: «Do të dënohesh me vdekje Ahimelek, ti dhe tërë shtëpia jote!». 17 Pastaj mbreti u tha rojave që ishin me të: «Shkoni e vritni priftërinjtë e Zotit, se edhe ata e përkrahin Davidin. E dinin se po ikte e nuk më njoftuan». Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të vinin dorë mbi priftërinjtë e Zotit për t’i vrarë. 18 Atëherë mbreti i tha Doegut: «Shko ti e vriti priftërinjtë». Doeg Edomiti u kthye e i vrau priftërinjtë. Atë ditë vrau tetëdhjetë e pesë burra që mbanin efodin e linjtë. 19 Edhe Nobin, qytetin e priftërinjve, e shkoi në teh të shpatës. Shkoi në teh të shpatës burra e gra, fëmijë e foshnja, qe, gomarë e dhen.
20 Por njëri nga bijtë e Ahimelekut, të birit të Ahitubit, shpëtoi e shkoi pas Davidit. Ai quhej Abiatar. 21 Kur i tregoi Davidit se Sauli i kishte vrarë priftërinjtë e Zotit, 22 Davidi i tha: «E dija që atë ditë se Doeg Edomiti, duke qenë atje, do ta njoftonte Saulin. Unë ia solla vdekjen tërë shtëpisë së atit tënd. 23 Rri me mua e mos ki frikë. Ai që po kërkon të më marrë jetën mua, po kërkon të ta marrë edhe ty. Tek unë do të jesh i sigurt!».