Psalmet 17

Lutje e Davidit.

Dëgjo, o Zot, çështjen e drejtë!

Vëri re klithmës sime,

dëgjoje lutjen time,

që nuk del nga buzë dredharake.

Prej teje gjetsha drejtësi,

sytë e tu dallofshin të drejtën.

Shqyrtoje zemrën time natën,

vëmë në provë, por gjë s’do të gjesh.

Kam menduar gjëra në mendjen time,

por goja ime nuk ka nxjerrë ligësi.

Sa për veprat e njerëzve,

përmes fjalëve të buzëve të tua

e kam ruajtur veten nga udhët e dhunës.

Hapat e mi kanë qëndruar në shtigjet e tua,

këmbët e mia nuk janë dridhur.

Ty po të thërras,

përgjigjmu, o Perëndi!

Ktheje veshin nga unë

e dëgjoji fjalët e mia!

Tregomë mirësinë tënde madhështore,

ti që prej kundërshtarëve shpëton

ata që tek e djathta jote shpresojnë.

Ruajmë si beben e syrit,

mbulomë nën hijen e krahëve të tu,

larg të paudhëve që më përndjekin,

armiqve gjakatarë që më kanë rrethuar.

10 Janë trashur nga dhjami,

goja e tyre flet tërë mburrje.

11 Më gjurmuan e më kanë rrethuar,

m’i kanë ngulur sytë për të më hedhur përtokë.

12 Janë si luani, të etur për të gjuajtur,

si këlyshi i luanit, që fshihet e zë pusi.

13 Ngrihu, o Zot, dili përpara, mposhte,

shpëtoma jetën prej të paudhit me shpatën tënde.

14 Shpëtomë prej vdekatarëve,

me dorën tënde, o Zot,

prej vdekatarëve të kësaj bote.

Mbushua barkun me çfarë ke ruajtur për ta,

që bijtë e tyre të ngopen

e t’u lënë me tepri fëmijëve të tyre.

15 E unë, falë drejtësisë sate, do të shoh fytyrën tënde,

do të zgjohem e do të kënaqem me praninë tënde.