Flija e festës së Trumbetave
1 Ditën e parë të muajit të shtatë mbani një mbledhje të shenjtë. Atë ditë mos shërbeni. Atë ditë do t’u bini trumbetave. 2 Kushtojini Zotit si fli erëkëndshme shkrumbimi, një dem, një dash e shtatë qengja motakë të patëmetë. 3 Për flinë përkatëse të drithit, kushtoni tre kilogramë majë mielli të përzier me vaj për demin, dy kilogramë për dashin 4 dhe një kilogram për secilin qengj. 5 Kushtoni edhe një cjap si fli mëkati për shlyerjen e mëkatit tuaj. 6 Kjo fli erëkëndshme zjarri për Zotin i shtohet flisë mujore të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit, flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes që kushtohen sipas ritit.
Flija e Shlyerjes
7 Ditën e dhjetë të po këtij muaji të shtatë, mbani një mbledhje të shenjtë. Atë ditë përuleni veten e mos bëni asnjë punë. 8 Paraqitini Zotit si fli erëkëndshme shkrumbimi, një dem, një dash e shtatë qengja motakë. Ata të jenë të patëmetë. 9 Për flinë përkatëse të drithit, kushtoni tre kilogramë majë mielli të përzier me vaj për demin, dy kilogramë për dashin 10 dhe një kilogram për secilin qengj. 11 Përveç flisë për shlyerjen e mëkatit, flisë së përhershme të shkrumbit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati.
Flija e festës së Kasolleve
12 Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të shtatë mbani një mbledhje të shenjtë. Atë ditë mos shërbeni. Kremtoni për shtatë ditë në nder të Zotit. 13 Paraqitini Zotit si fli shkrumbimi, si fli erëkëndshme zjarri, trembëdhjetë dema, dy desh e katërmbëdhjetë qengja. Ata të jenë të patëmetë. 14 Për flinë përkatëse të drithit, kushtoni tre kilogramë majë mielli të përzier me vaj për secilin dem, dy kilogramë për secilin dash 15 dhe një kilogram për secilin qengj. 16 Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. 17 Ditën e dytë kushtoni dymbëdhjetë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë të patëmetë, 18 bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. 19 Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. 20 Ditën e tretë kushtoni njëmbëdhjetë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja të patëmetë, 21 bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. 22 Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. 23 Ditën e katërt kushtoni dhjetë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë të patëmetë, 24 bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. 25 Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. 26 Ditën e pestë kushtoni nëntë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë të patëmetë, 27 bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. 28 Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. 29 Ditën e gjashtë kushtoni tetë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë të patëmetë, 30 bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. 31 Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. 32 Ditën e shtatë kushtoni shtatë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë të patëmetë, 33 bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. 34 Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. 35 Ditën e tetë mbani një mbledhje festive. Atë ditë mos shërbeni. 36 Paraqitini Zotit si fli shkrumbimi, si fli erëkëndshme zjarri, një dem, një dash e shtatë qengja motakë të patëmetë 37 bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit dhe numrit të duhur. 38 Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati.
39 Këto do t’i kushtoni Zotit në të kremtet tuaja, përveç flive të shkrumbimit, të drithit, të stërpikjes e të paqtimit, që i kushtoni si fli kushti e si fli vullnetare».