Jobi 14

Jobi flet për mjerimin e njeriut

«Njeriu i lindur prej gruas

e ka jetën të shkurtër e plot trazime.

Çel si lulja e vyshket,

ikën si hija e nuk zë vend.

A i hedh ti sytë kah një i tillë?

E mua më thërret në gjyq?

Kush mund të nxjerrë dëlirësi nga ndotja?

Askush!

Nëse ditët e njeriut janë të numëruara

e ti e di numrin e muajve të tij,

nëse ia ke vënë cakun e ai s’e kalon dot,

hiqi sytë prej tij e lëre të qetë

ta sosë i gëzuar ditën si mëditës.

Se edhe pema e ka një shpresë,

nëse e presin, do të bulojë sërish

e filizat e saj nuk do të thahen.

Edhe pse rrënjët i plaken nën dhe

e trungu i kalbet në pluhur,

ndien ujin e bulon,

nxjerr filiza si fidan.

10 Por njeriu vdes e bie përdhe,

jep shpirt njerëzia e ku është pastaj?

11 Uji i detit avullon

e lumi mund të thahet.

12 Njeriu që dergjet nuk ringrihet më,

pa kaluar qiejt më nuk do të zgjohet,

as do t’i dalë më gjumi.

13 Ah, sikur të më fshihje në skëterrë,

sikur të më ndryje derisa të të ikë zemërimi

e të më caktoje kohën për të më kujtuar!

14 Nëse njeriu vdes, a mund të jetojë?

Do të prisja sado të zgjasë mundimi im,

derisa të vijë lirimi.

15 Ti do të më thërrisje e unë do të të përgjigjesha,

do të kishe mall për veprën e duarve të tua.

16 Ndonëse tani i numëron hapat e mi,

nuk do t’i vëreje mëkatet e mia.

17 Mosbindja ime do të ndryhej në thes

e ti do ta mbuloje fajin tim.

18 Por, ja, mali shembet e shkërmoqet

e shkëmbi luan vendit,

19 uji i rrëmben gurët,

vërshimi e gërryen dheun

e ti i shuan shpresën njeriut.

20 Ti e godet e ai ikën përgjithmonë,

e shpërfytyron dhe tej e dëbon.

21 Bijtë e tij nderohen, por ai s’e di,

përçmohen, por atij s’ia merr mendja.

22 Ai veç vuan në trupin e vet

e rënkon për veten e vet».