1 Mes shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit u bë luftë e gjatë. Davidi forcohej e Sauli dobësohej.
Bijtë e Davidit
2 Davidit i lindën djem në Hebron. Amoni ishte i parëlinduri dhe Ahinoama, prej Izrelit, ishte nëna e tij. 3 I dyti ishte Kilabi dhe nëna e tij ishte Abigajla, ish gruaja e Nabal Karmelitit. I treti ishte Absalomi, biri i Makës, të bijës së Talmait, mbretit të Geshurit. 4 I katërti ishte Adonjahu, biri i Hagitës. I pesti ishte Shefatjahu, biri i Abitalës. 5 I gjashti ishte Itreami dhe nëna e tij ishte Eglaja, gruaja e Davidit. Këta ishin bijtë që i lindën Davidit në Hebron.
6 Gjatë luftës mes shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit, Abneri e forcoi pushtetin e vet në shtëpinë e Saulit. 7 Sauli kishte një shemër, që quhej Ricpa, bija e Ajahut. Atëherë Ishbosheti i tha Abnerit: «Përse shkove me shemrën e atit tim?». 8 Abneri u zemërua shumë me fjalët e Ishboshetit e i tha: «Mos jam gjë qen i Judës! Gjer më sot i kam ndenjur besnik Saulit, atit tënd, vëllezërve dhe miqve të tij. Unë nuk të dorëzova te Davidi e ti po më fajëson për një grua? 9 Më zi ma bëftë Perëndia, nëse nuk e ndihmoj Davidin për të plotësuar çfarë i premtoi Zoti, 10 për t’ia marrë mbretërinë shtëpisë së Saulit e për të forcuar fronin e Davidit mbi Izraelin e Judën, që nga Dani e deri në Bershebë». 11 Ishbosheti pati frikë e nuk i ktheu dot përgjigje Abnerit.
12 Atëherë Abneri i dërgoi lajmëtarë Davidit për t’i thënë: «Kujt i takon toka? Eja lidhim besën. Unë do të të përkrah dhe do ta kthej mbarë Izraelin te ti». 13 Davidi i tha: «Mirë. Do ta lidhim besën, veçse me një kusht: mos më dil para syve pa më sjellë më parë Mikalën, bijën e Saulit». 14 Davidi dërgoi lajmëtarë edhe tek Ishbosheti, biri i Saulit, e i tha: «Ma jep Mikalën, gruan time, që m’u premtua për njëqind lafsha filistinësh». 15 Atëherë Ishbosheti dërgoi njerëz dhe ia morën Mikalën burrit të saj, Paltielit, birit të Laishit. 16 Por ai e ndoqi pas duke qarë deri në Bahurim. Abneri i tha: «Ik e kthehu!». Ai u kthye.
17 Abneri kishte folur me pleqësinë e Izraelit e u kishte thënë: «Prej kohësh e kërkoni për mbret Davidin. 18 Bëjeni, pra! Zoti i ka thënë Davidit se nëpërmjet tij do ta çlirojë Izraelin, popullin e vet, nga filistinët dhe nga tërë armiqtë». 19 Abneri i foli edhe Benjaminit. Pastaj shkoi edhe te Davidi, në Hebron, për t’i thënë se çdo gjë ishte gati me Izraelin dhe me shtëpinë e Benjaminit.
20 Ai shkoi te Davidi në Hebron me njëzet burra dhe Davidi u shtroi një gosti. 21 Pastaj Abneri i tha Davidit: «Më lër të shkoj e ta mbledh tërë Izraelin rreth timzoti, mbretit, që ta lidhin besën me ty e ti të sundosh mbi ç’të ta ketë ënda». Davidi e la dhe Abneri shkoi në paqe.
Vrasja e Abnerit
22 Atëherë erdhën shërbëtorët e Davidit. Joabi ishte kthyer nga plaçkitja dhe kishte sjellë plaçkë të madhe. Por Abneri nuk ishte më me Davidin, në Hebron, sepse kishte shkuar në paqe. 23 Kur mbërriti Joabi bashkë me ushtrinë, e njoftuan se te mbreti kishte ardhur Abneri, biri i Nerit, dhe se ai e kishte lënë të shkonte në paqe. 24 Atëherë ai shkoi te mbreti e i tha: «Çfarë ke bërë? Abneri erdhi te ti dhe ti e le të shkonte? 25 A nuk e di se Abneri, biri i Nerit, ka ardhur për të të mashtruar, për të parë nga hyn e nga del dhe gjithçka që bën?».
26 Joabi u largua nga Davidi, dërgoi lajmëtarë te Abneri dhe ata e kthyen nga burimi i Sirahut. Davidi nuk dinte gjë. 27 Kur Abneri u kthye në Hebron, Joabi e mori mënjanë te porta, për t’i folur vetëm. Aty e qëlloi në bark. Abneri vdiq, për shkak të gjakut të Asahelit, vëllait të Joabit. 28 Kur e mori vesh, Davidi tha: «Unë dhe mbretëria ime jemi të pafajshëm para Zotit deri në amshim për gjakun e Abnerit, birit të Nerit. 29 Gjaku i Abnerit rëntë mbi kryet e Joabit dhe mbi tërë familjen e atit të tij. Mos iu ndaftë shtëpisë së tij rrjedhja e farës, lebra, puna e furkës, shpata shfarosëse dhe zia e bukës». 30 Joabi dhe vëllai i tij Abishai e vranë Abnerin, sepse ai kishte vrarë Asahelin, vëllanë e tyre, në betejën e Gibeonit.
31 Atëherë Davidi i tha Joabit dhe tërë popullit që ishte me të: «Shqyeni petkat dhe vishuni me grathore për të vajtuar Abnerin». Vetë mbreti David ecte pas arkivolit. 32 E varrosën në Hebron dhe Davidi ngriti zërin e vajtoi mbi varrin e Abnerit bashkë me tërë popullin. 33 Mbreti e vajtoi e tha:
«Siç vdes i marri vdiq Abneri?
34 Duart nuk i kishe të lidhura,
as këmbët në pranga,
por re porsi ata
që nga keqbërësit e pësojnë!».
Tërë populli e vajtonte pareshtur. 35 Pastaj tërë populli u përpoq ta bindte Davidin të hante diçka para se të ngrysej, por ai ishte betuar e kishte thënë: «Më zi ma bëftë Perëndia nëse ha bukë apo vë gjë në gojë para se të perëndojë dielli». 36 Mbarë populli e vuri re këtë dhe i pëlqeu. Çdo gjë që bënte mbreti e pëlqente tërë populli. 37 Kështu, mbarë populli e mbarë Izraeli e morën vesh atë ditë se Abnerin, birin e Nerit, nuk e kishte vrarë mbreti. 38 Mbreti u tha shërbëtorëve të vet: «A nuk e dini se sot në Izrael u shua një prijës i madh? 39 Unë jam ende i pafuqishëm edhe pse jam vajosur mbret, ndërsa këta burra, bijtë e Cerujahut, janë më të dhunshëm se unë. Zoti e shpërbleftë keqbërësin sipas ligësisë së tij!».