Bekime për Izraelin
1 E tani dëgjo, o Jakob, shërbëtori im,
dhe ti, o Izrael, i zgjedhuri im.
2 Kështu thotë Zoti, që të krijoi,
që të dha trajtë që në ngjizje, ndihmëtari yt:
mos ki frikë, o shërbëtori im Jakob,
o Jeshurun, i zgjedhuri im.
3 Se do të dikoj ujëra mbi tokë të etur,
përrenj në tokë të thatë,
shpirtin tim do të dikoj mbi farën tënde,
bekimin tim mbi pasardhësit e tu.
4 Do të rriten ata mes barit,
si shelgjet pranë rrjedhave të ujit.
5 Njëri do të thotë: «I Zotit jam unë»,
tjetri do të mbajë emrin e Jakobit.
Një tjetër do të shkruajë me dorën e vet: «I Zotit jam»
dhe emrin e Izraelit do të mbajë.
6 Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit,
shpenguesi i tij, Zoti i ushtrive:
unë jam i pari dhe unë jam i fundit,
Perëndi tjetër veç meje s’ka!
7 Kush është si unë? Le ta thotë fort!
Le ta shpallë e të ma parashtrojë!
Siç i parathashë gjëra të së ardhmes një populli të lashtë,
le t’u parathotë edhe ai gjëra që do të ndodhin.
8 Mos u trembni, mos kini frikë!
A nuk jua shpalla e s’jua thashë që më parë?
Ju jeni dëshmitarët e mi!
A ka Perëndi tjetër veç meje?
Tjetër Shkëmb nuk ka
e unë nuk njoh askënd.
Marria e idhujtarisë
9 Punuesit e idhujve janë të gjithë një hiç,
veprat e tyre të çmuara s’vlejnë asgjë,
dëshmitarët e tyre as shohin, as marrin vesh,
e kështu do të turpërohen.
10 Kush punoi ndonjë hyjni
apo shkriu ndonjë idhull,
pa kërkuar përfitim?
11 Ja, të gjithë ndjekësit e tyre do të mbeten të turpëruar,
se punuesit e tyre s’janë veçse njerëz,
le të mblidhen të gjithë bashkë e të dalin para,
do të dridhen të gjithë e do të turpërohen.
12 Farkëtari e punon hekurin me darë në zjarr,
trajtën ia jep me çekiçë,
e rreh me krahun e tij të fuqishëm.
E merr mandej uria dhe e lënë fuqitë,
ujë nuk pi dhe lodhet e këputet.
13 Gdhendësi e shtrin fijen për të matur drurin,
dhe i vë shenjat me laps,
e punon drurin me daltë,
me rrethor ia shënon anët.
I jep mandej trajtë njeriu,
një pamje të bukur njeriu,
për ta vënë në një tempull.
14 Pret për vete disa cedra,
merr qiparis e dru lisi,
shkon e zgjedh dru në pyll,
mbjell cedër dhe shiu e rrit.
15 Ato i janë dhënë njeriut për t’i djegur,
merr njeriu ndonjë prej tyre e ngrohet,
ndez zjarrin e pjek bukën.
Por bën edhe ndonjë hyjni e përkulet para saj,
bën ndonjë idhull e bie përmbys para tij.
16 Me gjysmën e druve ndez zjarrin,
me gjysmën tjetër pjek mishin e ha,
e pjek mirë mishin e kënaqet.
Ngrohet mirë e thotë: «Sa mirë po ngrohem!
Po kënaqem me zjarrin».
17 Me ç’i ngel bën edhe ndonjë hyjni,
që ta ketë si idhull.
Përkulet para tij dhe e adhuron,
i lutet e i thotë:
«Shpëtomë, se ti je perëndia im».
18 As dinë e as kuptojnë,
sytë u janë verbuar, që të mos shohin
e zemra e tyre të mos kuptojë.
19 Askush nuk i thërret mendjes,
as dinë e as kuptojnë, që të thonë:
«Gjysmën e drurit e dogja në zjarr.
Poqa bukën mbi prush,
poqa mishin dhe e hëngra,
e me gjysmën tjetër bëra këtë fëlliqësi.
Para punës së drurit do të përkulem vallë?».
20 Ushqehet me hi,
e shmang nga udha zemra e tij e mashtruar,
nuk di të çlirohet e të thotë:
«A nuk është vallë gjë e rreme
kjo që mbaj në të djathtën time?».
Çlirimi i Zotit
21 Kujtoji këto, o Jakob,
edhe ti, o Izrael, se je shërbëtori im!
Unë të dhashë trajtë, shërbëtori im je ti,
nuk do të të harroj, o Izrael.
22 I fshiva shkeljet e tua si retë e zeza,
mëkatet e tua porsi mjegullën,
kthehu tek unë, sepse unë të shpengova.
23 Ngazëlloni, o qiej, se veproi Zoti,
gëzohuni, o thellësi të tokës,
merrjani këngës së lavdërimit, o male,
edhe ju, o pyje e çdo pemë e tyre,
se Zoti e shpengoi Jakobin
e në Izrael shfaqi lavdinë.
24 Kështu thotë Zoti, shpenguesi yt,
ai që të dha trajtë që në bark të nënës:
unë jam Zoti, ai që krijoi gjithçka,
që i vetëm i ndehu qiejt,
e tokën rrafsh e shtriu!
Kush, pra, qe me mua?
25 Unë i bëj të kota parashikimet e shortarëve,
magjistarët i bëj të marrë,
njerëzit e urtë i bëj të sprapsen,
dijen e tyre e kthej në marrëzi.
26 Unë e përforcoj fjalën e shërbëtorit tim,
shestimet e të dërguarve të mi i përmbush,
Unë i them Jerusalemit se do të ketë banorë,
qyteteve të Judës se do të rindërtohen
e rrënojat e saj do të ringrihen.
27 Unë i them humnerës së detit: «Thahu,
lumenjtë e tu kam për t’i shterur».
28 Unë them për Kirin: «Ai është bariu im,
gjithçka që unë dua do ta çojë ai në vend».
Unë i them Jerusalemit: «Ndërtohu!»,
i them tempullit: «Ngriji sërish themelet!».