Ndarja e Kanaanit
1 Kjo është trashëgimia që morën izraelitët në tokën e Kanaanit, të cilën ua ndau prifti Eleazar, Jozuehu, biri i Nunit, e krerët e familjeve të fiseve të Izraelit. 2 Trojet u ndanë me short, ashtu siç kishte urdhëruar Zoti, përmes Moisiut, për nëntë fiset e për gjysmën e fisit të Manaseut. 3 Dy fiseve e gjysmës tjetër të fisit të Manaseut Moisiu ia kishte dhënë trashëgiminë përtej Jordanit, ndërsa levitëve nuk u kishte dhënë asnjë trashëgimi. 4 Pasardhësit e Jozefit ndahen në dy fise, në fisin e Manaseut e në fisin e Efraimit, ndërsa levitëve nuk iu dha tokë, përveç disa qyteteve për të banuar dhe kullotave për bagëtitë e gjënë e gjallë. 5 Izraelitët e ndanë tokën siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
Pjesa e Kalebit
6 Pasardhësit e Judës shkuan te Jozuehu në Gilgal. Kalebi, biri i Jefuneh Kenizitit, i tha Jozuehut: «Ti e di çfarë i tha Zoti Moisiut, njeriut të Perëndisë, për mua e për ty në Kadesh Barne. 7 Isha dyzet vjeç kur Moisiu, shërbëtori i Zotit më dërgoi nga Kadesh Barnea për të përgjuar vendin. Kur u ktheva, e njoftova me hollësi e me zemër të pastër. 8 E ndërsa vëllezërit e mi që kishin qenë me mua i futën frikën popullit, unë i mbeta besnik Zotit, Perëndisë tim. 9 Atë ditë Moisiu u betua e tha: “Toka që shkeli këmba jote do të bëhet pronë e jotja dhe e fëmijëve të tu përjetë, sepse i ke qëndruar besnik Zotit, Perëndisë tim”. 10 Dhe ja, Zoti më ka mbajtur në jetë, ashtu siç tha. Kanë kaluar dyzet vjet nga dita kur Zoti foli me Moisiun, në kohën kur Izraeli endej nëpër shkretëtirë, dhe ja ku jam sot, tetëdhjetë e pesë vjeç. 11 Jam ende i fortë si ditën kur më dërgoi Moisiu. Kam po aq fuqi tani sa ç’kisha edhe atëherë, për të shkuar në luftë e për t’u kthyer nga lufta. 12 Prandaj, ma jep mua këtë mal, siç tha Zoti atë ditë, sepse atë ditë ti vetë e dëgjove se aty banonin anakitët, në qytete të mëdha e të fortifikuara. Dashtë Zoti t’i shpartalloj me ndihmën e tij, siç ka thënë vetë Zoti».
13 Jozuehu e bekoi Kalebin, birin e Jefunehut, e i dha për pronë Hebronin. 14 Kështu, Hebroni është pronë e Kalebit, birit të Jefuneh Kenizitit, edhe sot e kësaj dite, sepse ai i qëndroi besnik Zotit, Perëndisë së Izraelit. 15 Hebroni quhej më parë Kirjat Arba, sepse Arbai kishte qenë njeri i madh ndër anakitët. Në atë vend nuk pati më luftë.