Levitiku 21

Rregulla për priftërinjtë

Zoti i tha Moisiut: «Fol me priftërinjtë, bijtë e Aronit, e thuaju: prifti të mos bëhet i papastër duke prekur kufomën e bashkëkombësve, përveç farefisit të ngushtë, nënës, atit, birit, bijës, vëllait dhe motrës së virgjër, që jeton me të e që nuk është martuar ende. Atë mund ta prekë e nuk do të bëhet i papastër. Prifti të mos bëhet i papastër prej të afërmve prej martesësd, që të mos përdhoset.

Priftërinjtë të mos e rruajnë kokën, të mos e shkurtojnë mjekrën dhe të mos bëjnë asnjë prerje mbi trupin e tyre. Le të jenë të shenjtë për Perëndinë e tyre e të mos e përdhosin emrin e Perëndisë së tyre. Ata i kushtojnë flitë në zjarr për Zotin dhe ushqimet për Perëndinë e tyre, prandaj le të jenë të shenjtë. Të mos martohen me gra lavire, të pandershme apo të ndara nga burri, sepse prifti është i shenjtë për Perëndinë e tij. Mbaje për të shenjtë, sepse ai ia kushton Perëndisë tënd ushqimet. Le të jetë, pra, për ty i shenjtë, sepse i shenjtë jam edhe unë, Zoti, ai që ju shenjtëron. Nëse bija e një prifti çnderon veten me lavirësi, ajo çnderon të atin, prandaj të digjet në zjarr.

10 Kryeprifti është më i madhi ndër vëllezërit e tij. Atij i është zbrazur mbi kokë vaji i vajosjes dhe ai është shuguruar e ka veshur rrobat e shenjta. Ai, pra, të mos e zbulojë kokën e të mos i shqyejë rrobat, 11 të mos i afrohet asnjë kufome e të mos bëhet i papastër, as për të atin e as për të ëmën. 12 Të mos dalë prej shenjtërores, që të mos e përdhosë shenjtëroren e Perëndisë së tij, sepse është shuguruar me vajin e vajosjes së Perëndisë së tij. Unë jam Zoti.

13 Kryeprifti të martohet me vajzë të virgjër. 14 Të mos martohet, pra, me vejushë, me grua të ndarë nga burri, me grua të pandershme apo me lavire, por të marrë një vajzë të virgjër prej popullit të vet. 15 Kështu, ai nuk do ta përdhosë farën e vet mes popullit të vet, sepse unë, Zoti, e shenjtëroj atë».

Pengesat për priftërinë

16 Zoti i tha Moisiut: 17 «Fol me Aronin e thuaji: asnjë prej pasardhësve të tu ndër breza, që do të ketë ndonjë të metë, nuk do të afrohet për të kushtuar ushqime për Perëndinë e tij. 18 Kush ka ndonjë të metë trupore të mos afrohet, asnjë i verbër apo i çalë, hundëçarë apo me gjymtyrë të shformuara, 19 me këmbë apo me duar të thyera, 20 gungaç apo shkurtabiq, që ka njollë në sy apo mbi lëkurë, që ka zgjebe apo ka herdhe të shtypura. 21 Kështu, asnjë prej pasardhësve të priftit Aron, që ka ndonjë të metë trupore, të mos afrohet për të kushtuar fli në zjarr për Zotin. Ai është i gjymtuar, prandaj të mos afrohet për të kushtuar ushqime për Perëndinë e tij. 22 Mund të hajë ushqimet e kushtuara për Perëndinë, prej flive të shenjta dhe shumë të shenjta, 23 por të mos hyjë pas velit e të mos i afrohet altarit, se ka të meta. Të mos e përdhosë shenjtëroren time, sepse unë, Zoti, i shenjtëroj».

24 Moisiu ia tregoi këto Aronit, bijve të tij e mbarë izraelitëve.


 d21.4 ose: prej fisit të gruas