Lutje për mëshirë
1 Kujtohu, o Zot, për çfarë na gjeti,
shikoje e vëreje poshtërimin tonë.
2 Trashëgimia jonë u kaloi të huajve,
shtëpitë tona të panjohurve.
3 U bëmë jetimë pa atë,
nënat tona si të veja.
4 Për ujin na duhen para,
edhe drutë e kanë një çmim.
5 Na kanë rënë në qafë,
u zalisëm e nuk gjejmë prehje.
6 I shtrijmë dorën Egjiptit e Asirisë
për t’u nginjur me bukë.
7 Etërit tanë mëkatuan e nuk janë më,
por fajin e tyre e mbartim ne.
8 Skllevërit na sundojnë,
s’ka kush na shpëton prej dorës së tyre.
9 Luajmë me jetën për bukë
përballë shpatës së shkretëtirës.
10 Furrë na u bë lëkura
nga zhegu i urisë.
11 Gratë u dhunuan në Sion,
vashat në qytetet e Judës.
12 Princat i varën me duart e veta,
pleqtë nuk i nderojnë.
13 Të rinjtë mbartin mokrën,
djelmoshat luhaten nën barrën e druve.
14 Pleqtë nuk dalin te portat,
rinia e la muzikën.
15 Zemrës sonë iu shua gëzimi,
vallja na u kthye në zi.
16 Kurora na ra nga koka,
mjerë ne, se mëkatuam.
17 Prandaj na u mek zemra,
prandaj na u errën sytë,
18 se u shkretua mali i Sionit,
dhelprat enden nëpër të.
19 Por ti, o Zot, mbetesh përgjithmonë,
froni yt, brez pas brezi.
20 Pse na harrove fare?
A do të na braktisësh gjatë?
21 Na kthe te ti, o Zot, e ne do të kthehemi,
përtëriji ditët tona si dikur.
22 Mos na ke dëbuar përgjithmonë
dhe je tejet i zemëruar me ne?