1 Më mirë një emër i mirë, se një pasuri e madhe,
më mirë të përmendesh për mirë, se të kesh ar e argjend.
2 Ja ku piqen i pasuri dhe i varfri:
ata të gjithë i ka krijuar Zoti.
3 I mençuri e sheh ligësinë e fshihet,
ndërsa thjeshtakët vijojnë e ndëshkohen.
4 Përvujtëria sjell drojën e Zotit,
begati, nder e jetë.
5 Në udhën e të prapit ka gjemba e kurthe,
kush kujdeset për veten, rri larg tyre.
6 Mësoje të riun që në fillim të udhës,
se nuk do t’i shmanget as kur të plaket.
7 I pasuri sundon mbi të varfrit,
huamarrësi është skllav i huadhënësit.
8 Kush mbjell padrejtësi, korr ligësi;
shkopi i zemërimit të tij do të thyhet.
9 Zemërgjeri do të bekohet,
se ndan bukën me skamnorin.
10 Dëboje përqeshësin e grindja do të ikë,
do të reshtë zënka e çnderimi.
11 Kush e do pastërtinë e zemrës dhe është fjalëmirë,
është mik i mbretit.
12 Sytë e Zotit e ruajnë dijen,
ai i përmbys fjalët e të pabesit.
13 Thotë përtaci: «Përjashta është luani.
Mund të vritem në mes të rrugës!».
14 Pus i thellë është goja e të huajës,
i nëmuri nga Zoti, do të bjerë brenda.
15 Marrëzia është e lidhur me zemrën e të riut,
por e largon tej shkopi i qortimit.
16 Kush e shtyp skamnorin, e pasuron.
Kush i jep të pasurit, varfërohet.
Thëniet e të Urtit
17 Vëru vesh e dëgjoi fjalët e të urtëve,
vëri mend mësimit tim,
18 ruaji thellë në zemër se janë të këndshme,
mbaji gati në buzët e tua.
19 Që të kesh besim te Zoti,
sot po t’i shfaq edhe ty.
20 A nuk i shkrova për ty
tridhjetë këshilla e njoftime,
21 për të të treguar besueshmërinë e fjalëve të vërteta,
që t’u kthesh fjalë të vërteta dërguesve të tu?
22 Mos e zhvat skamnorin pse është skamnor,
mos e shtyp nevojtarin te porta,
23 sepse me çështjen e tyre do të merret Zoti
dhe do t’i zhvatë ata që ua zhvatin shpirtin.
24 Mos u shoqëro me zemërakun
e mos rri me njeriun e tërbuar,
25 që të mos mësosh udhët e tij
e të biesh vetë në kurth.
26 Mos ji nga ata që shtrijnë dorën
e hyjnë dorëzanë për detyrime.
27 Nëse nuk ke me se të paguash,
pse të ta marrin shtratin ku shtrihesh?
28 Mos i zhvendos kufijtë e moçëm
që kanë vënë etërit e tu.
29 Shiko njeriun e aftë në punën e vet!
Ai do të rrijë me mbretër e jo me njerëz çfarëdo.